Maqedoni

Skandali me letërnjoftimet, Spasov: Jankullovska ka falsifikuar letërnjoftime

23.12.2015 17:13

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasov, akuzon për falsifikim dokumentesh ish ministren e këtij dikasteri, Gordana Jankullovska...

Spasov njoftoi se gjatë një kontrolli për të konstatuar nëse ka pasur falsifikim letërnjoftimesh për nevoja elektorale ka rezultuar se, njëri nga 22 personat, sa janë shqyrtuar gjithsej, me zgjedhje të rastësishme, nuk ka letërnjoftim dhe as vendbanim, mirëpo është në listën zgjedhore dhe ka votuar që në zgjedhjet lokale.
 
“Kjo vërteton se ‘MVRO’, përkatësisht MPB, në krye me Gordana Jankullovskën, ka shtypur dhe lëshuar në qarkullim letërnjoftime të jashtëligjshme dhe kanë mundësuar të votojnë persona pa të drejtë vote”- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasov.
 
Materialet e grumbulluara nga ekipi i posaçëm brenda sektorit për çështje administrative do t’i dorëzohen prokurores speciale, e cila veç ka hapur lëndën për keqpërdorime zgjedhore.
 
“Të gjitha këto dokumente dhe dokumente të tjera që do të hetohen në bazë të asaj që po punojnë këta njerëz, do t’i dorëzoj deri te Prokuroria Speciale, e cila funksionon në këtë pjesë dhe ka hetim të hapur për zgjedhjet”- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasov.
 
Spasov ka formuar ekip që po heton skandalin me falsifikimin e letërnjoftimeve brenda MPB-së. Indikacionet për një skandal të tillë burojnë nga të ashtuquajturat “bomba” të opozitës.   
  
SHPËTIM NUREDINI