Maqedoni
Rasti “Kumanova”, caktohet trupi gjykues, mbrojtja sytë nga Janeva
23.12.2015 17:49
Është caktuar trupi gjyqësor për rastin "Kumanova". Atë e përbëjnë 5 gjykues, prej të cilëve dy gjykues kryesorë, Verka Petkovska dhe Goran Boxhevski, dhe 3 gjyqtarë porot...

Këtë e konfirmoi avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi, i cili thotë se në ditët në vijim do të duhet t’u mundësohet të arrestuarve t’i rishikojnë provat para se të caktohet seanca e ardhshme gjyqësore.
“Unë sot kontaktova me trupin gjyqësor për atë se si të sigurojmë që të akuzuarit t’i shohin provat, pasi e dini që deri tani kjo e drejtë që e kanë sipas ligjit ata nuk e kanë realizuar jo me fajin e atyre. Kur i dhanë deklaratat para Prokurorisë, insistuan t’i shohin provat, por kjo nuk u mundësua dhe tani më trupi gjykues nuk mund të japë dinamikën e gjykimit pa e realizuar këtë moment, që provat që janë në këtë lëndë secili prej të akuzuarve t’i shohë provat. Pres brenda këtyre ditëve të caktohen terminet se kur do të na mundësohet kjo punë dhe pas asaj do të caktohet data e seancës gjyqësore”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Raufi shpreson se pas Vitit të Ri rasti “Kumanova” do të tejkalojë definitivisht në duart e prokurores speciale, Katica Janeva.
“Mendoj se kërkesa jonë që bëra te Prokuroria Speciale do të vendoset pozitivisht nga ana e tyre dhe do të miratohet kërkesa që ia dërguam zonjës Kativa Janeva, që të marrë këtë rast, pasi që ky rast ka të bëjë, sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale, me përgjimet e telefonatave të paligjshme”- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Gjykata e Shkupit javë më parë miratoi edhe aktakuzën ndaj të akuzuarve në rastin e Kumanovës dhe hodhi poshtë ankesat e palës mbrojtëse, e cila kërkonte shfuqizimin e akuzës dhe lirimin e të arrestuarve.
REXHEP QAMILI
