Maqedoni

Analistët për krizën politike, vizita e Hahnit flet për seriozitetin e situatës

23.12.2015 18:02

Situata politike në Maqedoni është tepër serioze. Zvarritja e zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës hap mundësinë e thellimit të krizës politike edhe më tej...

Seriozitetin e situatës e vërteton edhe paralajmërimi i eurokomisionerit Hahn për një vizitë në Maqedoni në janar. 
 
Analisti, Albert Musliu, dhe njohësi i çështjeve politike, Bashkim Bakiu, presin që Hahn të shfrytëzojë mekanizmat e BE-së për t’u arritur marrëveshja për të cilën nuk po merren vesh palët në Maqedoni.
 
“Ardhjen e Hahnit e shoh si një inkurajim për pjesën e tretë, e cila është e rëndë, pasi që na vjen me radhë dorëheqja e kryeministrit dhe zgjedhja e kryeministrit të ri prej radhëve të VMRO–DPMNE-së dhe besoj që edhe palët pjesëmarrëse, e veçanërisht VMRO-DPMNE–ja, do ta ketë më shumë si inkurajim, por edhe si alibi para anëtarësisë së vetë, se gjoja vetëm me presionin e ndërkombëtarëve kjo çështje realizohet. Prezenca e partnerëve tanë ndërkombëtarë do ta ndihmojë procesin”- deklaroi analisti, Albert Musliu.
 
“Forma e veprimit mund të jetë me ndonjë kushtëzim, me ndonjë kufizim, me ndonjë instrument, që i ka si mekanizëm vetë BE, të cilat mund ta zbatojnë atë. Formë tjetër ku ata do të kyçeshin në këtë proces nuk ka, për shkak se sado kudo Maqedonia është shtet sovran, ka institucionet e veta dhe përgjegjësia bartet tek personat të cilët menaxhojnë me ato institucione, d.m.th. përgjegjësia është e vetë aktorëve politik”- tha njohësi i zhvillimeve politike, Bashkim Bakiu.
 
Sipas tyre, taktizimet e partive politike do të vazhdojnë për të ngushtuar hapësira kohore për arritjen e ndryshimeve thelbësore. Por, gjërat mund të ndryshojnë me rezultatet që do t’i shpallë prokurorja speciale nga hetimi i përgjimeve.
 
“Pjesëmarrësit në negociata tashmë janë të vetëdijshëm se ikje prej implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës nuk ka. Kjo është pjesë e komunikimit të tyre si me anëtarësinë e vetë ashtu edhe pjesë e krijimit të hapësirës si parapërgatitje të procesit zgjedhor. Nuk e shoh si ndonjë shenjë e bllokimit të plotë të procesit, ngase ikje prej këtij procesi nuk ka”- theksoi analisti, Albert Musliu.
 
“Mund të ndryshojë momenti nga dita-ditës, varësisht se çfarë aktiviteti do të ndërmarrë apo çfarë rezultati do të ketë puna e cila i është dhënë prokurores speciale, e cila nga 15 dhjetori veç më do të duhet të ketë punë me afate të caktuara, ndoshta do të ngrejë ndonjë padi nga ata të cilët kanë bërë keqpërdorime”- theksoi njohësi i zhvillimeve politike, Bashkim Bakiu.
 
Pengesa në zbatimin e Marrëveshjes Politike janë shfaqur nga fillimi i bisedimeve. Së fundmi ka mbetur pezull arritja e reformave në media, ndërkohë që është bllokuar puna e Komisionit Anketues për skandalin e përgjimeve.
 
MERAL ISMAILI