Futboll
Torino ofron 4 milionë euro për Gashin
23.12.2015 19:53
Shtohet interesimi nga Seria A italiane për Shkëlzen Gashin. Pas Lazios, Fiorentinës dhe Veronës për sulmuesin shqiptar po lëviz edhe Torino...

Klubi Granata dëshiron të bëjë disa përforcime në merkaton e Janarit dhe një ndër të përzgjedhurit e drejtuesve të Torinos është pikërisht Gashi.
Trajneri Ventura shikon te 27-vjecari i kombëtares kuqezi lojtarin ideal për të kompletuar krahët e sulmit dhe sipas asaj që publikon faqja zvicerane Fussballinfos.ch, Torino ka gati një ofertë prej 4 milionë Eurosh për të bindur Baselin që të lejojë largimin e Gashit.
Edhe pse është shpallur golashënuesi më i mirë në dy sezonet e fundit të Superligës zvicerane, ish sulmuesi i Grasshopper-it, nuk preferohet nga trajneri aktual i Baselit Urs Fischer, me 27-vjecarin që në këtë fillim sezoni ka qëndruar më shumë në stol dhe në tribunë.
Pak ditë më parë mediat zvicerane bënë të ditur se largimi i Gashit është thuasje i sigurtë dhe tashmë ajo që mbetet për tu zbuluar është se cila do të jetë skuadra e tij re. Për tu grumbulluar nga trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi në Euro 2016, Shkëlzen Gashi ka nevojë për më shumë minuta në këmbë dhe Torino mund të ishte një zgjedhje shumë e mirë për të vijuar karrierën.
Sulmuesi shqiptar ka një kontratë me Baselin deri në 2018-tën, ndërkohë që klubi nga St Jakob Park e vlerëson kartonin e tij me shumën e 4.5 milionë Eurove.
Oferta e Torinos me kërkesën e Baselit nuk janë shumë larg njëra-tjetrës dhe në këtë kontekst e ardhmja e Shkëlzen Gashit mund të jetë pikërisht te skuadra Granata.
