Fillojnë reagimet nga Beogradi: Ndryshoni Kushtetutën e jo marrëveshjen për Asociacionin
Reagimet e zyrtarëve të Serbisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe, sado që ende jo nga nivelet më të larta, janë gjithnjë e më nevrike e më të papërmbajtura...

Pas Marko Gjuriqit, i cili në mënyrë ultimative ka kërkuar respektimin e Marrëveshjes së nënshkruar më 25 gusht në Bruksel, ka reaguar edhe Milovan Drecun i cili Kushtetutën e Kosovës dhe Qeverinë e saj i ka cilësuar “të ashtuquajtura”.
Milovan Drecun, kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën , është kategorik se kurrfarë bisedimesh të reja lidhur me Asociacionin e Komunave serbe nuk vijnë në konsiderim për t’u zhvilluar në Bruksel.
Ai konsideron, përcjell “Politika” e Beogradit, transmeton Koha.net, se këto (bisedat) janë dëshira të vitit të ri të disa politikanëve kosovarë, ndërsa shton se Marrëveshja duhet të zbatohet.
“Absolutisht nuk më intereson se do të thonë e do të vendosin e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese dhe e ashtuquajtura Qeveri e Prishtinës. Ata janë të detyruar të respektojnë marrëveshjen ashtu si është arritur dhe aty shmangie nuk ka. Nëse diçka nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta.Nëse Brukseli kërkon që për Marrëveshjen tashmë të arritur të bisedohet sërish, atëherë ky do të ishte një hap i madh prapa dhe ky proces do të ishte pa perspektivë”, ka thënë Milovan Drecun.
