Kerry reagon ndaj shqetësimeve iraniane, ShBA mund të heq dorë nga regjimi i ri i vizave
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka siguruar Teheranin se Shtëpia e Bardhë mund të heqë dorë nga regjimi i ri i vizave, që e ka zemëruar Iranin, edhe pse, sipas tij, rregullat e reja amerikane nuk do të ndikojnë në zbatimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin...

“Unë jam i bindur se ndryshimet e fundit në kërkesat për viza që kanë kaluar në Kongres e për të cilat Administrata e ka të drejtën që të heq dorë, në asnjë mënyrë nuk do të na pengojë në angazhimet tona (marrëveshjen bërthamore) dhe ne do ta zbatojmë atë në mënyrë që të mos ndërhyjë në interesat legjitime të bizneseve në Iran”- ka thënë sekretari Kerry.
Ai ka qartësuar se Shtetet e Bashkuara i ofrojnë disa mundësi për personat që shkojnë në Shtetet e Bashkuara. Duke iu referuar autoriteteve të Iranit, se rregullat e reja mund të pengojnë investitorët dhe turistët, Kerry ka thënë se ShBA-të ofrojnë viza me hyrje të shumëfishtë, mundësojnë përshpejtim të procesit të marrjes së vizës dhe mund të lëshojnë vizë me afat deri në 10 vjet. Por, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka thënë dje se ndryshimet në programin e vizave në Shtetet e Bashkuara e kanë shkelur marrëveshjen historike bërthamore në mes të Teheranit dhe fuqive botërore.
