Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Asociacioni me elemente kundërkushtetuese

24.12.2015 12:18

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ashtu siç është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, nuk është tërësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës...

Në vendimin prej 39 faqesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstaton se Asociacioni i Komunave me shumice Serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e parë, të ratifikuar nga parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e jo sipas marrëveshjes së këtij viti.

Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me nenet që kanë të bëjnë me kapitujt mbi barazinë para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Gjykata thekson se marrëveshja që të jetë e vlefshme duhet të plotësojë standardet kushtetuese dhe duhet të jetë në pajtueshmëri me kapitujt e saj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi pas kërkesës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës. Kërkesa pasoi një periudhë tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht. Menjëherë pas shpalljes së këtij aktvendimi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ai konfirmon edhe një herë se veprimet e qeverisë kanë pasur bazë kushtetuese.

“Ky aktgjykim ka konstatuar se veprimet e qeverisë nuk kanë qenë në dëm të integritetit territorial të Kosovës dhe se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”- ka thënë Mustafa.

Por, liderët opozitarë kanë vlerësuar se, ky vendim e konfirmon atë se zyrtarët e lartë të këtij shteti në vazhdimësi e shkelin kushtetutën, prandaj duhet të bartin përgjegjësi.

Nga ana tjetër, Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se për Serbinë është e vlefshme Marrëveshja e arritur në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015 dhe e njëjta duhet të zbatohet në tërësi.