MEGJASHI: Varfëria i orienton fëmijët në rrugë të gabuar
Ambasada e parë e fëmijëve në botë, MEGJASHI, prezantoi Raportin e SOS telefonit për fëmijë dhe të rinj...

Prej dhjetorit të vitit 2014 deri më tani janë regjistruar 113 thirrje dhe nga këto thirrje është konstatuar se për fëmijët një ndër problemet kryesore është varfëria. Nga MEGJASHI bëjnë të ditur se varfëria fëmijët i orienton shumë herë në rrugë të gabuar.
“Kjo që na brengos ne si shoqëri, për herë të dytë problemi tek fëmijët është varfëria. Disa fëmijë detyrohen që të largohen nga shkolla dhe dalin rrugëve dhe shumica prej tyre përfundojnë si lypës, disa në duart e trafikantëve, disa bëhen pjesë e grupeve kriminele e kështu me radhë”- deklaroi drejtori, Dragi Zmijanac.
Psikologët theksojnë se shumica e raportimit për shkeljen e të drejtave të fëmijëve bëhen nga të rriturit, pasi fëmijët ngurrojnë ta bëjnë atë.
“Thirrjet më të shumta kanë qenë nga ana e më të rriturve dhe vetëm 2 fëmijë janë paraqitur te ambasada e parë e fëmijëve MEGJASHI për të drejtat e tyre. Një ndër problemet kryesore që fëmijët ballafaqohen është varfëria, pastaj shkurorëzimi i prindërve dhe dhuna familjare, këto janë problemet që çdo vit përsëriten”- tha psikologja, Jana Zingovska.
Ambasada e parë e fëmijëve është duke përgatitur projektin “Prindër përgjegjës”, me qëllim që prindërit të jenë më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj fëmijëve të tyre, si dhe të ndalohet dhuna ndaj tyre. Ky projekt është i përkrahur nga USAID. (Rejhan Bushi-Metaj, TVM2)
