Rexhepi raportoi për punën e postave gjatë vitit 2015

24.12.2015 13:07

Posta e Maqedonisë këtë vit ka qenë e përqendruar në përmirësimin e cilësive postare, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe ka qenë pjesë e aktiviteteve humanitare dhe kulturore, informoi drejtori gjeneral i këtij institucioni, Faadis Rexhepi, i cili prezantoi rezultatet e arritura gjatë vitit 2015...

Ai tha se edhe përskaj vështirësive në suaza botërore, posta e Maqedonisë ka arritur që të shënojë bilanc pozitiv.

“Arritëm që të ruajmë likuiditet stabil, në 11 muajt e parë të vitit 2015 realizuam rrjedhë pozitive të parave prej 60 milion denarëve. Në të ardhmen zhvillimin e postës, rritjen e biznesit të postës e shohim në kyçjen, sidomos në internet-shitjen, dhe atë në internet-shitjen në nivel ndërkombëtar”- deklaroi drejtori gjeneral i SHA “Postat e Maqedonisë”, Faadis Rexhepi.

Drejtori Rexhepi theksoi edhe shtypjen e pullave postare të Ali Pashë Tepelenës dhe Ibrahim Temos, ndërsa tha se pulla postare me figura historike shqiptare do të ketë edhe në të ardhmen. Ai gjithashtu tha se përfaqësimi i shqiptarëve është adekuat në këtë institucion.

“Nga numri i përgjithshëm i gjithsej 2400 të punësuarve, 26% janë shqiptarë. Atë që dua të theksoj është se, nëse marrim parasysh nivelin e lartë dhe nivelin e mesëm të menaxhmentit, nga gjithsej 40 pozicione udhëheqëse, 15 prej tyre i mban kuadër shqiptar, që në përqindje i bie diku rreth 37%”- tha Rexhepi.

Gjithashtu u theksua se është përmirësuar cilësia e shërbimeve EMS në komunikacion ndërkombëtar, ku nga 201 vendeve të ranguara “Postat e Maqedonisë” gjendet në vendin e 89, në krahasim me vitin e kaluar kur ishte në vendin e 132. (Ersan Pajaziti, TVM2)