OKB, miratohet marrëveshja e paqes në Libi

24.12.2015 14:28

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi marrëveshjen e arritur mes fraksioneve në konflikt në Libi për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar, marrëveshje për të cilën fuqitë perëndimore mendojnë se do të sjellë stabilitet dhe do të ndihmojë për të luftuar ISIS-in...

Ambasadori i Libisë në OKB, Ibrahim Dabbashi, tha se autoritetet libiane nuk kanë në plan për të kërkuar sulme ajrore nga koalicioni ndërkombëtar kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Askush nuk po mendon për të kërkuar ndërhyrjen e huaj në këtë moment. Ne jemi të gatshëm për ta luftuar vetë ISIS-in”- deklaroi ambasadori i LIBISË në OKB, Ibrahim Dabbash.

Me këtë përgjigje, ai hodhi poshtë raportet e fundit të publikuara në media, ku thuhej se rezoluta do të çojë në një kërkesë të shpejtë të Libisë për ndërhyrje ushtarake nga shtetet perëndimore. Rezoluta e miratuar unanimisht, e hartuar nga Britania, e bën të qartë se qeveria e ardhshme e unitetit në Libi duhet të jetë përfaqësuesi i vetëm për vendin e Afrikës Veriore, ku qeveritë konkurruese kanë luftuar gjatë për pushtet. 

Aktualisht, Libia ka dy qeveri rivale, një në Tripoli dhe një tjetër në lindje të vendit. Por, është shtuar gjithnjë e më shumë shqetësimi se “Shteti Islamik”, që ka një bazë në qytetin Sirte, po përfiton nga mungesa e stabilitetit në Libi. (Gazmend Kurtishi, TVM2)