Reformat urgjente që kërkohen nga BE, Maqedonia vazhdon t’i implementojë

24.12.2015 14:46

Maqedonia vazhdon të implementojë prioritetet urgjente të reformave në vend në të gjitha fushat që kërkohen nga raporti i KE-së dhe raporti i PRIBE-së...

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, në debatin publik të Këshillit Nacional për Eurointegrime. Besimi me këtë rast u ndal më tepër në reformat gjyqësore që ka shënuar vendi përgjatë këtij viti.

“Sa i përket gjyqësorit, është miratuar ligj i ri mbi këshillin për verifikimin dhe ngritjen e procedurës për konstatim të përgjegjësisë disiplinore të gjykatësit, janë përpiluar propozim-ligjet për përmirësimin e dispozitave për përgjegjësinë e gjykatësve dhe dispozitat për sanksione disiplinore. U krye gjithashtu zgjedhja e kryetarëve të gjykatësve në pajtim me parimet e reja të meritës, 17  kryetarë të gjykatave themelore dhe një kryetar ne Gjykatën e Apelit”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.

Por, kryetarja e Komisionit për Eurointegrime, Ermira Mehmeti, theksoi se pushteti gjyqësor vazhdon të jetë në shërbim të politikës. Sipas saj, bartësit e pushtetit gjyqësor nuk mbajnë përgjegjësi disiplinore në punën e tyre. Në Maqedoni mbahen në burg të pafajshmit dhe asnjë gjykatës para trupit përkatës nuk ka dhënë llogari për vendim të padrejtë, thekson Mehmeti.

“Sa gjykatës janë thirrur në përgjegjësi për keqbërjen e tyre, për vendimet e gabuara gjyqësore? Nuk më kujtohet ndonjë. Sa herë kemi dëgjuar në bisedat e përgjuara për përzierje dhe ndikimet politike në pushtetin  gjyqësor? Shumë herë. Është ndërmarrë ndonjë masë, ka pasur ndonjë reagim? Nuk jam tërësisht e bindur”- tha kryetarja e Komisionit për Eurointegrime, Ermira Mehmeti.

Për mosefikasitetin dhe politizimin e pushtetit gjyqësor ndan mendim të njëjtë edhe sektori civil. Suad Misini nga Qendra Hulumtuese për Shoqëri Civile thotë se gjykatat e vendit nuk respektojnë as shkronjën e parë të konventave ndërkombëtare nënshkruese të së cilave është vendi dhe se ky pushtet është kryekëput i ndikuar nga politika qeveritare. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)