Integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO, Popovski: Moti e kemi merituar, pengesë Greqia
Maqedonia dëshiron të integrohet në BE dhe në NATO për shkak të interesit të vendit dhe në këtë rrugëtim moti kohë e ka merituar integrimin në aleancë, por e vetmja pengesë është bllokada greke, thekson ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski...

Sipas tij, në rrugën eurointegruese Maqedonia ballafaqohet me situatën e forcës.
“Vizioni i Greqisë në këtë kontest është ky: ju mund të jeni në të drejtë, mundet që e drejta ndërkombëtare është thyer, por ne jemi opozitë e forcës, sepse ju doni të hyni në klub aty ku ne jemi dhe kemi veto, dhe nëse nuk luani sipas nesh, do t’ua bëjmë jetën të rëndë dhe të komplikuar. Përgjigjja jonë këtu është se ne jemi të vendosur të hyjmë në BE për shkak të interesit tonë dhe nuk kemi asnjë qëllim të krijojmë armiqësi me Greqinë”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
I pyetur nga opozita maqedonase se a posedon Ministria e Jashtme platformë konkrete për tejkalimin e kontestit të emrit apo gjithmonë pret propozimet greke dhe të ndërmjetësit Nimic, Popovski dha këtë përgjigje: “Do ju kisha ftuar dhe ju kisha inkurajuar të vini me ne në bisedimet dhe bashkë me ne t’i mbroni tezat se Maqedonia duhet një orë më parë t’i fillojë bisedimet me BE-në dhe se Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për integrim”.
Këto komente ministri Popovski i bëri në raportin e dhënë për punën njëvjeçare të dikasterit të tij përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
