Maqedoni
Komisioni i Arsimit dhe Shkencës, Universiteti “Nënë Tereza” përplasi partitë shqiptare
24.12.2015 16:46
Iniciativa për themelimin e universitetit “Nënë Tereza” në Shkup kaloi me shumë debat midis partive shqiptare në Komisionin për Arsim dhe Shkencë...

Deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi, tha se ky është mashtrim i radhës i BDI-së për pikë politike. Ibrahimi tha se ligji është përpiluar fshehurazi, ndërkaq kërkoi që gjuha shqipe të definohet si gjuhë studimi në universitet.
“Pas koloreve nëpër zyra është marrë ky qëndrim, nuk e dimë se kush e ka propozuar, pa debat publik, pa debat universitar dhe akademik merret kjo iniciativë shumë e madhe që godet edhe institucionet tjera, siç është Universiteti i Tetovës”- deklaroi deputeti I PDSh-së, Orhan Ibrahimi.
Kërkesa e grupit parlamentar të PDSh-së u refuzua nga BDI dhe VMRO-DPMNE. Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, tha se gjuha e veprimit në universitet do të jetë gjuha shqipe, ndërkaq dy lëndë profesionale do të ligjërohen në gjuhën maqedonase dhe dy programe studimore në gjuhën angleze.
“Me ligjet për themelimin e universiteteve publike deri më tani nuk është e definuar gjuha e studimit, sepse kjo definohet me Ligjin për arsimin e lartë me elaborate dhe me statusin e institucionit universitet, prandaj ky amendament nuk pranohet”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
“Të jeni i sigurt që universiteti do të jetë në gjuhën shqipe, por është mirë që në universitet të angazhojmë profesorë edhe në gjuhën angleze, të angazhojmë edhe nga jashtë, të angazhojmë profesorë edhe nga Maqedonia, pasi që ne dëshirojmë që në shekullin XXI, shekulli i një shoqërie të informacionit, shekulli i një shoqërie të dijes, kërkohen kuadro”- theksoi deputeti i BDI-së, Ejup Rustemi.
Deputetët e VMRO-së dhe LSDM-së ishin të heshtur gjatë debatit. Vetëm deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva, kërkoi nga partitë në pushtet që t’u japin llogari qytetarëve se pse hapet universitet i ri dhe të qartësohet dilema se nuk bëhet fjalë për universitet ndërkombëtar.
“Ajo komponentë është maskuar pas këtij projekti shqiptar. Kjo duhet të thuhet, unë nuk kam problem me këtë, por partitë në pushtet do të duhet që qytetarëve tua pastrojnë mjegullën e krijuar”- u shpreh deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva.
Propozimi për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” është futur në procedurë parlamentare për miratim të përshpejtuar, për arsyen, siç thonë nga ministria, që të krijohen kushte që universiteti të nis punën në vitin e ardhshëm akademik.
MERAL ISMAILI
