Maqedoni
“Jugohrom”-i ndërpret punën deri në fund të shkurtit
24.12.2015 16:49
Për shkak të ndotjes enorme që po mbretëron kohëve të fundit në Tetovë dhe në rajonin e Pollogut, Fabrika e ferolegurave “Jugohrom”...

Për shkak të ndotjes enorme që po mbretëron kohëve të fundit në Tetovë dhe në rajonin e Pollogut, Fabrika e ferolegurave “Jugohrom” ka vendosur të ndërpresë punën e saj prej datës 31 dhjetor deri në fund të shkurtit vitin e ardhshëm.
“Duke e pasur parasysh situatën momentale me ndotjen e ajrit në Tetovë, edhe pse udhëheqësia e fabrikës ka qëndrimin që ‘Jugohrom’-i nuk është ndotësi më i madh në vend, ka sjellë vendim që vullnetarisht t’i ndërpresë dy furrat që janë në funksion, respektivisht ndalimin e plotë të kapacitetit të prodhimit. Ndalimi i prodhimtarisë do të fillojë nga 31 dhjetori deri në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm”- thuhet në njoftimin e fabrikës “Jugohrom”.
Drejtoria e fabrikës informon gjithashtu se edhe përskaj faktit që furrat nuk do të punojnë, do të vazhdojnë të gjitha aktivitetet e dakorduara për implementimin e standardeve ekologjike, si dhe inkorporimin e sistemit për pastrimin e pluhurit.
Paralajmërimi për mbyllje të përkohshme të Fabrikës “Jugohrom” erdhi pas thirrjeve të shumta nga shoqatat ekologjike në Tetovë, si dhe pas protestave të organizuara javën e kaluar.
“Jugohrom” tashmë i ka shkelur të gjitha afatet e parapara për përmbushjen e standardeve për t’u furnizuar me leje ekologjike, si kusht për të vazhduar me punë. Edhe përkundër kësaj, vitin e kaluar Qeveria i dha afat prej 2 vjetësh që kjo kompani t’i plotësojë eko-standardet.
Qeveria, duke u bazuar në argumentet ekologjike sociale dhe ekonomike, detyroi “Jugohromin” që të përgjysmojë kapacitetin e punës, nga 100% në 50%.
Më pas fabrika në fjalë kumtoi se do të fillojë me implementimin e projektit për ndërtimin e stacioneve filtruese për pastrim nga gazrat e dëmshme të lëshuara gjatë prodhimit të fabrikës.
Investimi i përgjithshëm, i cili parashikon të ketë tre stacione filtruese, ishte planifikuar të përfundojë deri në fund të këtij viti.
