Maqedoni

Akademi shkencore për ditëlindjen e pejgamberit Muhamed

24.12.2015 17:38

“Mysliman është ai që nuk i sjell dëm askujt, as me gjuhën e tij e as me dorën e tij”- u tha nga ligjëruesit në akademinë shkencore të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Islame...

“Mysliman është ai që nuk i sjell dëm askujt, as me gjuhën e tij e as me dorën e tij”- u tha nga ligjëruesit në akademinë shkencore të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Islame me rastin e ditëlindjes së pejgamberit Muhamed. 
 
“Muhamedin të cilin Allahu e dërgoi si pishtar ndriçues dhe udhëzues të umetit të tij, në rrugën e vërtetë të Allahut, padyshim që lindja e tij ka qenë një frymëzim i shumë gjeneratave të kaluara, të tashme dhe të ardhshme që do të vijnë deri në ditën e kiametit”- u shpreh ligjëruesi, Lutfi Nexhipi.
 
“Muhamedi është pejgamberi i fundit i mbarë njerëzimit, i dërguari që përfundoi udhëtimin e nisur nga babai i njerëzimit, Ademi. Ai është njeriu i zgjedhur nga Zoti i madhërishëm për ta mbyllur misionin hyjnor në tokë”- tha ligjëruesi, Ziber Lata.
 
“E lusim Allahun të na bëjë ndjekës të pejgamberit, që është me fytyrë më të bukur se hëna. I lutemi Zotit të na japë një zemër sikur të pejgamberit, që hapej për gjithë universin, e kur ta kemi një zemër të tillë, edhe pse jemi një, do të bëhemi 1 mijë dhe ne Islamit kemi për t’i sjellë shumë dobi”- theksoi ligjëruesja, Nehal Ibrahimi.
 
Motoja e akademisë ishte “Mirë se erdhe o pronar i Keutherit”, ndërsa për t’i dhënë kuptim këtij organizimi studentët e Fakultetit të Shkencave Islame kënduan këngë fetare.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI