Maqedoni
Universiteti “Nënë Tereza”, Mustafa: Presheva gëzon bashkë me Shkupin
24.12.2015 17:48
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, e sheh si një arritje të madhe hapjen e një universiteti të ri shtetëror me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni...

Ai e quan hapjen e Universitetit “Nënë Tereza” si një vendim largpamës të politikës shqiptare në Maqedoni, sepse populli shqiptar ka shumë nevojë për arsim cilësor.
“Është një sukses i jashtëzakonshëm i gjithë autoriteteve që janë angazhuar për hapjen e universitetit me mësim në gjuhën shqipe në nivel institucional të shtetit të Maqedonisë. Hapja e një universiteti, që do të thotë mbyllja e burgjeve për shqiptarët. Sepse, mbi të gjitha sot ne kemi nevojë të shkollohemi në nivel universitar, që të jemi të përgatitur jo vetëm për vendin, por edhe për orientimet euroatlantike ku ne të gjithë aderojmë”- deklaroi kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Ky universitet do të jetë në shërbim edhe të të rinjve të Luginës së Preshevës, thotë Mustafa.
“Në Luginën e Preshevës, të rinjtë janë gjithnjë në pritje që të hapen sa më shumë tempuj të dijes dhe shkencës, sepse është edhe një mundësi me tepër që ata me lehtësinë më të madhe të regjistrohen në këto universitete dhe në këtë drejtim të gjitha dyert e hapura që i kemi në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoni, në USHT dhe UEJL. Do të jetë një stimul më tepër për shqiptarët e Preshevës që të regjistrohen në universitetin që mban emrin e Nënë Terezës”- tha kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Ragmi Mustafa gjithsesi beson se Universiteti “Nënën Tereza” do të jetë në interes jo vetëm të të rinjve të Luginës, por për të gjithë të rinjtë nga trojet mbarëshqiptare.
MERITA GASHI
