Maqedoni
Kuvend, miratohet Ligji për themelimin e Universitetit “Nëna Tereza”
24.12.2015 18:43
Kuvendi Republikan miratoi Ligjin për themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup...

Në kuadër të Universitetit “Nëna Terezë” do të funksionojnë pesë fakultete me 14 programe studimore, përkatësisht: Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës, Fakulteti i Shkencave Informatike, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.
“Parashihet që Universiteti të fillojë me punë në vitin akademik 2016/2017. Me miratimin e Ligjit dhe me hyrjen në fuqi të Ligjit, MASh deri te Qeveria do të propozojë Komisionin amë ose komisionet amë për çdo njësi, të cilët do të jenë kompetentë për përgatitjen e punimeve dhe do të udhëheqin me këtë institucion deri në momentin e konstituimit të organeve dhe zgjedhjes së organeve udhëheqëse, në fakt të senatit dhe të rektorit të këtij universiteti”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi, tha se përderisa me këtë Ligj propozohet hapja e një universiteti të ri, me pr/ligjin për UShT-në po ndërpriten shtatë programe studimore në këtë të fundit.
“Shumë djallëzisht sot paraqiten dy propozim-ligje. Ky propozim-ligji i dytë për plotësimin e Ligjit për Universitetin e Tetovës na e kthjellon çështjen se ku do të dalë kjo Qeveri, në veçanti BDI. T’i merren shtatë programe mësimore UShT-së”- tha deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi.
Përse një ligj, që ka për qëllim hapjen e një universiteti, përbëhet vetëm nga gjashtë nene dhe propozohet me procedurë të shkurtuar, pyetën deputetët e opozitës maqedonase.
“Disa çështje janë të paqarta, për një çështje të rëndësishme si kjo propozoni ligj me procedurë të shkurtuar. Për të hap universitet të ri? Pa debat publik, pa kosultime me institucionet përkatëse, pa pasqyrë të qartë a ka nevojë për profile të tilla që i propozoni, parasëgjithash, profile teknike në universitetin e ri”- theksoi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
“Ligji përbëhet nga gjithsej gjashtë nene. Ju vet po e vulgarizoni këtë akt solemn. Pse e fshehët elaboratin që të shohim se për çfarë programe studimore bëhet fjalë”- u shpreh deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.
Mirëpo, sipas Ademit, MASh ka marrë mendim pozitiv nga Këshilli për Akreditim dhe propozim-ligji është në harmoni me Ligjin për arsim të lartë.
“Elaboratet janë të dorëzuar në Këshillin për Akteditim dhe Evaulim, prej të cilit kemi marrë mendim pozitiv. Është bërë analizë edhe për nevojën e hapjes së këtyre programeve studimore në kuadër të fakulteteve, gjithashtu ka edhe arsyeshmëri në bazë të Ligjit për arsim të lartë”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Zbatimi i Ligjit për themelimin Universitetit “Nëna Tereza” ka implikacione financiare, përkatësisht nga buxheti për vitin 2016 parashihet të ndahen 29.5 milionë denarë, para nga buxheti, ndërsa nga buxheti për vitin 2017 do të ndahen 113 milionë denarë.
Universiteti do të ketë selinë në ish Kazermën “Ilinden”.
Ndërkaq, me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës ndërpritet realizimi i programeve studimore për ndërtimtari, arkitekturë, mekatronikë, inxhinieri qarkullimi dhe transporti, gjeodezi dhe gjeoinformatikë, si dhe inxhinieri ekonomike deri në vitin akademik 2019/2020.
Studentët të cilët janë regjistruar në këto programe studimi dhe nuk do ta përmbyllin ciklin studimor deri në vitin 2019, studimet do të mund t’i vazhdojnë në Universitetin “Nëna Tereza”, ose në ndonjë universitet tjetër.
Ndryshimet parashohin edhe formimin e një njësie të re në përbërjen e UShT-së, përkatësisht hapjen e Fakultetit Pedagogjik si dhe ndryshimin e emrit të Universitetit nga UShT në UT.
SHPËTIM NUREDINI
