Ndërkombëtarët kundër rinegocimit të Asociacionit
Diplomatët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me përgatitjen e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe...

Sipas tyre, Kushtetuesja jep udhëzime që themelimi i Asociacionit të bëhet sipas Kushtetutës së vendit. Nuk mbështetet rinegocimi.
Diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë i kanë dhënë mbështetje të plotë interpretimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por kundërshtojnë propozimin e opozitës dhe analistëve që marrëveshja të rinegociohet.
Ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me përgatitjen e statutit për këtë Asociacion, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kërkojnë nga të gjithë faktorët politikë në Kosovë ta respektojnë këtë vendim.
Sipas diplomatëve ndërkombëtarë, Gjykata Kushtetutese në mënyrë të qartë thotë se Asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit dhe jep udhëzime për t’u siguruar që themelimi i tij bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Opozita në anën tjetër, këtë vendim të Kushtetueses e sheh si vendim në favorin e tyre dhe kërkon dorëheqjen e Qeverisë. (Zëri)
