Botë
Krishtlindjet, Papa dënon terrorizmin, apelon: ndihmoni migrantët
25.12.2015 16:12
Të krishterët katolikë në mbarë botën festojnë Krishtlindjen. Nga bazilika e Shën Pjetrit, në Romë, në bekimin tradicional "Urbi et orbi", Papa Françesku

Të krishterët katolikë në mbarë botën festojnë Krishtlindjen. Nga bazilika e Shën Pjetrit, në Romë, në bekimin tradicional "Urbi et orbi", Papa Françesku ka bërë apel për paqe dhe pajtim. Bota po helmohet nga materializmi, theksoi Papa duke iu drejtuar 1,2 miliardë katolikëve të globit, por edhe gjithë njerëzimit.
“Jetojmë në një shoqëri të pushtuar nga konsumizmi e hedonizmi, nga pasuria dhe ekstravaganca. Çdo gjë duhet të ketë masë”- deklaroi Papa Françesku.
Papa njëherit dënoi aktet brutale të terrorizmit në Francë, Liban, Egjipt, Tunizi dhe Mali, ndërsa shprehu mbështetjen për rezolutat e paqes të Kombeve të Bashkuara për Sirinë dhe Libinë. Papa po ashtu ka kërkuar solidaritet me migrantët dhe i ka lavdëruar ata që i strehojnë refugjatët.
“Le t’i paguaj Zoti të gjithë ata, individët dhe shtetet, që punojnë me bujari për të dhënë ndihmë dhe mirëpritur migrantët dhe refugjatët e shumtë”- tha Papa Françesku.
Atmosferë festive ka mbretëruar edhe në Betlehemin, në qytetin e shenjtë të bregut Perëndimor, ku besohet se lindi Jezusi. Festimet e përvitshme në sheshin e “Grazhdit” u zhvilluan të pashqetësuara edhe përkundër dhunës së fundit iraelito-palestineze, ndërsa në pjesë të tjera të qytetit disa evente u anuluan, ndërsa ato që u mbajtën nuk ishin shumë pompoze.
Mesha të Krishtlindjeve u mbajtën edhe në të gjitha kishat në Shqipëri, si dhe në kishat katolike në Kosovë dhe Maqedoni. Megjithëse katolikët shqiptarë në Maqedonia edhe këtë vit u ankuan për mungesën e meshave në gjuhën shqipe.
BELINDA KOKA-ADEMI
