Maqedoni
Të punësuarit në “Jugohrom" protestojnë kundër mbylljes së kompanisë
25.12.2015 16:51
Pas paralajmërimit për mbylljen e “Jugohromit”, sot kanë dalë në protesta punëtorët të cilët do të mbeten pa punë në dy muajt e ardhshëm...

Ata shprehen se ndotja më e madhe nuk vjen nga Kombinati “Jugohrom”, por nga shumë faktorë të tjerë.
Ndërkohë, nga Sindikata e Punëtorëve të “Jugohromit” theksuan se ata janë mbledhur këtu, duke i dhënë mbështetje udhëheqësisë, pasi, siç shprehen ata, “Jugohromi” merr pjesë në ndotjen e ajrit në një përqindje minimale.
“Ne jemi mbledhur këtu për t’i dhënë përkrahje udhëheqësisë së ‘Jugohromit’, sepse me ndotjen e ajrit ‘Jugohromi’ merr pjesë me një përqindje minimale ose aspak. Kjo përkrahje do vazhdojë edhe më tej edhe atë përkrahje më të madhe dhe më masovike, bile me gjithë familje, pas një janari kur do bëhen matjet e rregullta, duke u nisur nga ‘Jugohromi’ dhe matjet në Tetovë, dhe atëherë do të del realiteti, se ‘Jugohromi’ nuk është ndotës i ajrit, siç e përshkruan në ato protesta ‘EkoGuerilla’”- deklaroi kryetari i Sindikatës, Bajram Amiti.
Edhe të punësuarit që kishin dalë për të protestuar thonë se protesta e sotme është për kafshatën e bukës.
“Qëllimi i kësaj proteste është të jemi të qartë, nuk është në baza partiake, por pastër luftë për mbrojtje të ekzistencës tonë, kafshatën tonë të bukës dhe asgjë më shumë. E ai që niset për të na lënë pa atë çapë buke, duhet ta dëshmojë këtë me dokument, në të kundërtën ne do e çojmë këtë proces dhe kur do konfirmojmë se nuk jemi, duhet të bëhen gati të na dëmshpërblejnë”- tha një punëtor.
“Dikush do të na e ndërpresë ekzistimin e 1060 punëtorëve në mënyrë direkte e në mënyrë indirekte edhe krejt regjionit të Komunës së Jegunocit, por ne nuk do ndalemi. Duam të bëhen matje që sot edhe në Jegunoc edhe në Tetovë pas ndërprerjes së punës të dëshmojmë se ‘Jugohromi’ nuk është ndotësi”- theksoi një punëtor.
Protestat, sipas protestuesve, do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim edhe atë me intensitet edhe më të madh.
VISAR SADIKI
