Maqedoni

Saraj, më 23 janar vendosjet shtatorja e Isa Boletinit

25.12.2015 17:18

Familjarët e heroit kombëtar, Isa Boletini, takuan kryetarin e Sarajit, Bekim Muratin, nga i cili u njoftuan për punën rreth vendosjes së shtatores së Isa Boletinit...

Familjarët e heroit kombëtar, Isa Boletini, takuan kryetarin e Sarajit, Bekim Muratin, nga i cili u njoftuan për punën rreth vendosjes së shtatores së Isa Boletinit në këtë komunë, më 23 janar. Stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, u shpreh se vendosja e shtatores së gjyshit të tij do të realizojë ëndrrën e Isë Boletinit.
 
“Gjyshi përherë do të jetë pranë popullit të tij në Shkup, në këtë pjesë shumë të rëndësishme të shqiptarëve. Qysh nga dita e sodit edhe qeveritarët në Kosovë, në mënyre lokale dhe qeveritare, do të jenë të mobilizuar për pjesëmarrje masovike nga të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, më 23 janar këtu në Saraj. Unë besoj se ardhja e përhershme e Isa Boletinit në Saraj do të reflekton pozitivisht për shqiptarët, për ëndrrën e tij, për bashkimin kombëtar”- deklaroi stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini.
 
Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, theksoi se ai dhe banorët e Sarajit do të jenë të privilegjuar që të kenë shtatoren e një figure kaq të madhe kombëtare në Saraj, ndërsa tha se bashkë me vendosjen e shtatores do të bëhet edhe rekonstruimi i sheshit të Sarajit. 
 
“Konfrom vendosjes së shtatores, këto ditë do të fillojë rekonstruimi i sheshit të Sarajit dhe me këtë do të merr pamje krejtësisht të re, vendosja, respektivisht shpalosja e shtatores së heroit tonë kombëtar do të ndodhë më 23 janar, ditën edhe kur është vrarë heroi ynë kombëtar, Isa Boletini”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
 
Shtatorja e Isa Boletinit është punuar nga skulptori, Idriz Balani, ndërsa një përmendore e ngjashme gjendet edhe në Isniq dhe Mitrovicë të Kosovës.  
 
ERSAN PAJAZITI