Maqedoni
Ministria e Ambientit apel Qeverisë të aplikojë masa urgjente kundër ndotjes
25.12.2015 17:26
Ministria e Ambientit Jetësor kërkon nga Qeveria që bashkë me pushtetin vendor të aplikojë masa urgjente kundër ndotjes së mëtejme të ajrit...

Kërkohet që në mbarë vendin të bëhen kontrolle të instalimeve, të cilat i nënshtrohen lejeve A dhe B të integruara ekologjike. Në Shkup dhe Tetovë, ku grimcat PM10 janë shumëfishuar, kërkohet të reduktohet puna e kapaciteteve industriale, si dhe të lirohen nga puna të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe personat e moshës mbi 60 vjet.
Ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi, kërkon gjithashtu që pushimi dimëror për nxënësit të fillojë nga 28 dhjetori, ndërkaq të rritet frekuentimi i autobusëve dhe të ulet kostoja e biletës.
“Këto ishin masat që ne do t’i propozojmë Qeverisë dhe njësive të pushtetit vendor për të dalë nga situata dhe shpresojmë që këto do japin rezultate, pasi që nga Enti Hidrometeorologjik kemi informata se ditët në vijim, më shumë se 10 ditë, situata do të jetë edhe më e vështirë se sa tani që e kemi”- tha ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
Ministri Izairi nuk theksoi masat afatgjate për “Jugohromin”. Ai tha se hapi i radhës do të varet nga mbyllja afatshkurte e kompanisë dhe respektimi i masave.
“Njëherë do të duhet të shohim rezultatet afatshkurte çka do të japin dhe sa i përket kohës afatgjate do të varet nga vetë kompania se a do t’i implementojë masat e duhura në mënyrë që nëse do të implementojë masat e duhura, qëllimi ynë nuk është të mbyllim, por të hapim, por ato që do të hapen dhe ato që do të vazhdojnë t’i respektojnë masat, të respektojnë ambientin dhe të respektojnë ligjet”- theksoi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
Nga Ministria e Ambientit u rekomandojnë edhe qytetarëve që të shfrytëzojnë transportin publik dhe për t’u ngrohur mos të përdorin mjete ndotëse si mobilje, stiropol, pjesë të gomës dhe materiale sintetike.
Gjithashtu Shkupi dhe Tetova do të vendosin edhe masa kufizuese të qarkullimit të automjeteve sipas parimit çift–tek.
MERAL ISMAILI
