Maqedoni

Jashari dhe Besimi shqyrtojnë reformat në drejtësi

25.12.2015 17:30

Pas konkluzave të Këshillit Evropian, Sekretariati për Eurointegrime po harton raportin për zbatimin e reformave që dalin nga Raporti i KE-së...

Në këtë drejtim ishte edhe vizita e zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Fatmir Besimi, në Ministrinë e Drejtësisë.
 
Rritja e pavarësisë, profesionalizmi dhe transparenca, si dhe kredibiliteti i sektorit gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionet janë reforma me prioritet që Brukseli kërkon nga Shkupi zyrtar.
 
“Pas konkluzave të Këshillit Evropian, tani vazhdojmë me ciklin e takimeve për të bërë një raport të punëve të deritanishme lidhur me masat që dalin nga reformat prioritare. Sot e kemi temën që ka të bëjë me drejtësinë, sundimi i ligjit, dhe do të kemi takim me ministrin e Drejtësisë dhe institucionet e tjera të dikasterit, të cilat janë përgjegjëse në fushën e drejtësisë sa i përket kapitujve 23 dhe 24”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
 
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, tha se do ta informojë zëvendëskryeministrin dhe përfaqësuesit e tjerë të grupit punues për të gjitha masat që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve që burojnë nga plani aksional për reforma në sistemin juridik të RM-së. 
 
“Do të informoj grupin punues për aktivitetet dhe masat që në të ardhmen do të duhet të ndërmerren për të implementuar këtë plan aksional dhe në veçanti do të fokusohem edhe në masat që Ministria e Drejtësisë i ka paraparë viz a vi vërejtjeve të fundit të KE-së dhe Raportit të Pribesë”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Ndryshe, KE në progres raportin e fundit i ndau Maqedonisë rekomandim të kushtëzuar. Një nga fushat më të atakuara në raport është pikërisht sistemi gjyqësor dhe dështimi i institucioneve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.     
 
SHPËTIM NUREDINI