Basketboll

Golden State-Cleveland dhe derbi i Los Anxhelosit, spektakël për krishtlindje

25.12.2015 17:41

Ashtu si çdo vit, dita e Krishtlindjeve në NBA dhuron ndeshje spektakolare dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe sot në mbrëmje...

Pas pushimit të djeshëm, sot do të luhen 5 takime, njëra më e bukur se tjetra, mes ekipesh legjendë apo protagoniste në kampionatin më të bukur në botë në basketboll. 
 
“Qershia mbi tortë” do të jetë sfida e shumëpritur, ajo midis Golden State dhe Cleveland, dy finalistet e sezonit të shkuar. Plot 6 muaj pas sfidës së fundit, që i dha fitoren Warriors, sot do të përballen mes tyre sërish dy ekipet më të mira në NBA, kryesueset e dy Konferencave.
 
Do të përballen sërish Stephen Curry e LeBron James, dy yjet e NBA-së, kandidatët kryesorë për titullin e MVP. Nuk është vetëm kjo sfida që do të zhvillohet sot në NBA, pasi e gjithë mbrëmja do të jetë një spektakël i garantuar, mes yjeve të basketbollit amerikan.
 
Kjo mbrëmje do të hapet me sfidën Miami-New Orleans, që luhet në Florida dhe do të pasohet me një tjetër ndeshje gjigandësh: Oklahoma-Chicago.
 
Dy ekipe që synojnë shumë në Konferrncat përkatëse e ku spektakli do të jetë i garantuar. Më pas do të jetë super-sfida Golden State-Cleveland, ndërsa pas mesnate do të luhet dy ndeshjet e fundit, mes katër ekipesh ikonë në Konferencën e Perëndimit.
 
Fillimisht është derbi teksan midis Huoston-San Antonio, dy ekipe pretendente për titull në NBA.
 
Dhe në fund, nuk kish si të mungonte në këtë ditë Krishtlindjes derbi i Los Anxhelosit, midis Clippers dhe Lakers të Kobe Bryant.