Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës uron për themelimin e Universitetit të ri në Shkup
Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, akademik Jorgaq Kaçani, përmes një telegram-urimi të dërguar deri te ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi...

Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, akademik Jorgaq Kaçani, përmes një telegram-urimi të dërguar deri te ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, uroi themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
“Kam nderin që në emrin tim dhe në emër të Universitetit Politeknik të Tiranës, t’ju përgëzoj për vendimin që të themeloni një universitet të ri në Shkup, i cili do të mbajë emrin “Nënë Tereza” dhe në të cilin mësimi do të mbahet kryesisht në gjuhën shqipe. Jam veçanërisht i kënaqur që në përbërjen e universitetit të ri, një vend të rëndësishëm do të zënë shkencat teknike, që tregon qartë se ju dhe institucionet kompetente në vend keni një vizion të vërtetë për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve të larta, por, edhe për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe social në të ardhmen. Jam i bindur se Universiteti i ri në Shkup do të pranohet nga shqiptarët dhe të rinjtë e vendit tuaj dhe vendeve të rajonit, sepse do të ofrojë arsim të lartë modern dhe kualitativ në gjuhën amtare, që do të mundësojë konkurrencë më të madhe në tregun e punës, i cili gjithnjë e më shumë kërkon kuadro me arsim të lartë nga fusha e shkencave teknike. Në këtë kontekst, ju siguroj se Universiteti Politeknik i Tiranës, me njohuritë e përgjithshme të akumuluara të tij, përvojën dhe personelin akademik, plotësisht i vihen në dispozicion Universitetit të ri”- thuhet në telegram urimin e akademik, Jorgaq Kaçani.
