Botë
Në Serbi operacion i gjerë anti-korrupsion, arrestohen 79 persona
26.12.2015 14:13
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, konfirmoi se gjatë operacionit të gjerë kundër korrupsionit janë arrestuar 79 persona, ndërsa pesë të tjerë ende janë në kërkim...

Po ashtu njoftoi se buxheti i Serbisë është dëmtuar për më shumë se 100 milionë euro, ndërsa në mesin e të arrestuarve gjenden edhe ish-zyrtarë të lartë të Serbisë, drejtorë të ndërmarrjeve publike, biznesmenë, kryetarë të tanishëm dhe të dikurshëm të komunave.
Emri më i njohur mes të arrestuarve është ish-ministri Sllobodan Millosavljeviç, pastaj Zorana Markoviç, ish-drejtoresha e Agjencisë për luftë kundër korrupsionit, dhe pronari i “Biohemie” biznesmeni Zhelko Zhuniç.
Sipas tij të dyshuarit nga viti 2004 deri më sot kanë kryer vepra penale si pastrim parash, keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të furnizimeve publike, për vepra korruptive në sferën e bujqësisë dhe dhënien e truallit ndërtimor të vetëqeverisjes lokale.
Bëhet fjalë për njërin nga aksionet më të përgjithshme të zbatuar ndonjëherë në Serbi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar.
