Maqedoni

BDI-ja mban takimin e rregullt të fundvitit me gurbetçarët

26.12.2015 17:41

BDI-ja sot mbajti takimin e rregullt të fundvitit me gurbetçarët e Kërçovës, ku lideri i kësaj partie Ali Ahmeti foli për angazhimet e vitit që e lejmë pas dhe prioritetet e veprimtarisë për vitin që vjen...

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, vitin 2015 e ka cilësuar si një vit shumë të rëndë si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë jashtëm, një vit me plot sfida dhe turbulenca që i ka ngadalësuar proceset integruese të vendit. Një vit me shumë përballje dhe rreziqe, kriza rajonale dhe globale. Ne, tha ai,  jemi angazhuar për krijimin e kushteve për investime të kapitalit të huaj në vendbanimet shqiptare. Kompania amerikane KSS që është hapur në zonë industriale të Kërçovës, do të funksionojë me kapacitet të plotë nga 5 janari i vitit që vjen, dhe veprimtaria e saj do të krijojë punësimin e qindra kërçovarëve, potencoi Ali Ahmeti.
 
Integrimin e kemi patur premtim në fushatën e zgjedhjeve të kaluara por për shkak të zhvillimeve të njohura në rajon dhe më gjërë, ky projekt ra nga axhenda por ne asesi nuk do të heqim dorë nga synimet tona dhe sfida e vitit 2016 do të jetë zgjidhja e problemit të emrit dhe marrja e ftesës për antarësim, tha Ali Ahmeti në takimin e rregullt të fundvitit që BDI e realizon me mërgimtarët kërçovar.
 
SHABAN DALIPI