Botë

Korsikë, sulm sallës së lutjeve të besimtarëve myslimanë

26.12.2015 20:03

Mbrëmja e Krishtlindjeve solli tensione në ishullin e Korsikës, ku një grup njerëzish mësynë një sallë lutjesh të besimtarëve myslimanë...

Turma e të rinjve, një pjesë e të cilëve i kishin fytyrat e mbuluara, e vandalizoi ambjentin, sipas gjasave, në formë shpagimi ndaj një sulmi të mëhershëm, në shënjestrën e të cilit kishin qenë zjarrfikësit e ishullit mesdhetar francez. 
 
Zyrtarët lokalë thanë se një pjesë e vogël e protestuesve tentuan edhe të digjnin kopje të Kuranit. 
 
Më herët, me qindra vetë ishin mbledhur në kryeqendrën e ishullit, Ajacio, për të shprehur mbështetjen e tyre dhe solidaritetin me dy zjarrfikësit dhe policin e plagosur gjatë përplasjeve të së enjtes. 
 
“Arabët, jashtë prej këtej” dhe “Kjo është shtëpia jonë”, ishin disa prej sloganeve të ngritura gjatë tubimit dhe pas kësaj ka ardhur dhe mësymja e sallës së lutjeve./Top Channel