Botë
Austria jep alarmin kryeqytetet europiane mund të sulmohen nga terroristët
27.12.2015 13:29
Një alarm për atentate në të gjithë kryeqytetet europiane mes krishtlindjeve dhe vitit të ri vjen nga Austria...

Një alarm për atentate në të gjithë kryeqytetet europiane mes krishtlindjeve dhe vitit të ri vjen nga Austria një ditë pasi prokuroria e Sarajevës njofton se ka parandaluar një sulm, që kishte si synim të vriste të paktën 100 persona natën e ndërrimit të viteve.
Kjo gjë është bërë e ditur nga shefi i policisë së Vienës i cili tha se në kryeqytete të ndryshme europiane disa ditë para 25 dhjetorit ishte lëshuar alarmi për atentate të mundshme nga shërbimet e inteligjencës së një vendi mik të Austrisë.
“Sulmet mund të bëhen me bomba ose armë”, theksoi shefi i policisë së Vienës.
Pikërisht bombë do të përdornin dhe 11 ekstremistët e arrestuar në Sarajevë të Bosnjë Hercegovinës. Personat e arrestuar që konsiderohen të afërt me ISIS kishin menduar ta vendosnin bombën poshtë një makine policie ose në një vend të populluar në natën e ndërrimit të viteve, bëri të ditur prokurori antiterrorizëm.
Fjalë këto që përkojnë me ato të thëna nga lideri i ISIS, Abu Bekr Al Bagdadi, i cili është rishfaqur në një audio mesazh prej 24 minutash. Kjo rishfaqje e tij bën që alarmi të mbetet shumë i lartë pasi lideri i ISIS në audiomesazh shprehet se “kalifati nuk ka pësuar asgjë nga bombardimet e koalicionit ndërkombëtar, si dhe kërcënon Izraelin.
“Palestina nuk do të jetë toka juaj as shtëpia juaj por varri juaj. Zoti ju ka mbledhur në Palestinë që muslimanët t’iu vrasin”, kërcënon Al Bagdadi.
Më pas Lideri i ISIS kapet dhe me Arabinë Saudite, që së fundmi ka krijuar një koalicion kundër terrorizmit.
“Po të ishte një koalicion islamik do të ishte deklaruar i lirë nga ozurpuesit e tij hebre dhe kryqtarë dhe do të kishte vrarë hebrejtë ku si qëllim kryesor do të kishte lirimin e palestinës”, dëgjohet në audio mesazhin e Al Bagdadit.
GAZMEND KURTISHI
