Sulm në Kabul, disa viktima në njerëz
Zyrtarët afganë të sigurisë kanë njoftuar se një sulmues vetëvrasës e ka hedhur vetën në erë në një rrugë që gjendet në afërsi të aeroportit të Kabulit, duke lënë të vdekur disa persona...

Shefi i Policisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Karzait ka thënë se dy civilë u vranë dhe të paktën 8 të tjerë janë plagosur.
Sipas tij, numri i viktimave mund të jetë më i madh ngase sulmi ka ngjarë në një zonë banimi. Zëdhënës i talibanëve ka deklaruar se ata po e marrin përgjegjësinë për sulmin.
Sulmi vjen vetëm një ditë pasi që shefi i Ushtrisë pakistaneze, Raheel Sharif, e ka vizituar Kabulin në kuadër të përpjekjeve për nisjen e bisedimeve paqësore në mes të talibanëve dhe zyrtarëve të qeverisë afgane.
Raundi i parë i bisedimeve me talibanët është mbajtur në korrik, por takimi ka dështuar. Forcat afgane të sigurisë janë duke luftuar me talibanët, kryesisht në provincën Helmand të Afganistanit.
