Irak, forcat qeveritare marrin kontrollin në Rahmadi
Ushtria irakiane ka rimarrë Ramadin, prej disa muajsh fortesë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”...

Xhihadistët janë larguar në verilindje të qytetit, duke braktisur kompleksin qeveritar të tij, ku tashmë valëvitet flamuri kombëtar irakian. Marrja e kompleksit nënkupton mposhtjen e ISIS-it në Ramadi. Hapi i radhës tani do të jetë eliminimi i trupave të rezistencës.
“Me vullnet të Zotit, në ditët në vijim , ne do të marrim kontrollin e plotë mbi qytetin Rahmadi. Nuk dua të jap një datë të saktë se kur do të ndodhë kjo”- deklaroi gjenerali, Lejtnant Abdul-Ghani Al-Asadi.
"Kompleksi qeveritar është nën kontrollin tonë të plotë. Kjo nuk do të thotë se thjesht kemi hyrë në këtë zonën-bunker, do të thotë se tashmë e kemi ne në dorë”- tha koloneli, Hamid Adel Rasheed.
Forcat irakiane janë përpjekur prej javësh ta rimarrin qytetin që gjendet 90 km në perëndim të Bagdadit, që banohet kryesisht nga arabë sunitë. Ai ra në duart e ISIS-it në muajin maj, çka u konsiderua një humbje tejet poshtëruese për ushtrinë e Bagdadit.
Nuk dihet me saktësi sa militantë të ISIS-it e mbronin qytetin, por, sipas disa raporteve, ata nuk ishin më shumë se 400. Deri tani nuk është bërë publik asnjë bilanc për humbjet në radhët e Ushtrisë irakiane. (Leunora Kaliqi, TVM2)
