Maqedoni
Qeveria: Gratë shtatzëna të lirohen nga puna; qytetarët: Ndotja e ajrit ju pengon të gjithëve
28.12.2015 15:36
Lirimi nga puna i kategorive të rrezikuara, siç janë gratë shtatzëna, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, është një vendim i duhur, thonë gjinekologët...

Ata rekomandojnë që gratë shtatzëna të izolohen në shtëpi, sepse në këtë kohë me smog ekziston mundësia e paraqitjes së anomalive të lidhura ne embrionin.
“Gratë shtatzëna në fillim të muajve të para të shtatzënisë, atëherë edhe kur formohet fryti, mos të eksponohen, të kenë kujdes më të madh, mos të dalin, mos të shëtisin në këtë kohë, në këtë situatë që po ndodhë aktualisht në Shkup. Nëse i ekspozohen këtyre, kësaj që po i ndodh me smogun Shkupit, ekziston mundësia që të vijë deri te paraqitja e anomalive të lidhura në embrion dhe prandaj këtyre grave u rekomandohet të izolohen në shtëpi. Por, edhe ato gratë të cilat janë shtatzëna, në muajt më të avancuar të shtatëzanisë edhe ato bartin rreziqe ndaj frytit nëse ekspozohen ndaj këtyre ndotësve”- deklaroi gjinekologu, Alfred Purine.
Ndërsa qytetarët shprehen se ndotja e ajrit po shkakton pasoja në shëndetin e tyre e sidomos te fëmijët dhe të moshuarit.
“Duhet të ndërmerren masa për parandalimin e pasojave më të mëdha”- tha një qytetar.
“Të gjithëve ju pengon jo vetëm mua edhe fëmijët janë të sëmurë, hiq nuk bën puna”- theksoi një qytetar.
“Shumë, tepër, jo vetëm në shëndetin tim, por në përgjithësi, në shëndetin e banorëve apo qytetarëve si fëmijëve dhe pleqve”- u shpreh një qytetar.
Ndryshe, në një seancë të jashtëzakonshme të qeverisë, mbrëmë për shkak të problemeve me ajrin e ndotur është marrë vendim që gratë shtatzëna dhe personat e sëmurë kronikë të lirohen nga puna.
Ndërsa në Tetovë, Shkup, Manastir, Kërçovë dhe Koçan edhe sot janë regjistruar koncentrime të larta të grimcave PM10. Sipas matjeve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, sot në mëngjes koncentrime prej 373 mikrogramëve në metër katror janë regjistruar në Tetovë, 337 në Qendër, Gazi Babë 190, Lisiçe 258, Manastir 213, Karposh 227, Kërçovë 133 dhe Koçan 109.
REJHANE BUSHI-METAJ
