Maqedoni
Qytetarët, më shumë shpenzime për fundvit
28.12.2015 16:04
Fundviti karakterizohet me shpenzime të mëdha, por edhe për çmime më të larta të produkteve...

Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se blejnë vetëm gjërat më themelore, pasi nuk kanë edhe aq mundësi.
“Çmimet në krahasim me vitin e kaluar janë po ato çmime. Janë më lirë se vjet, por popullata jonë nuk ka para”- u shpreh një qytetar.
“Harxhimet janë më të mëdha, por problemi është se skamja e bën të veten. Tash edhe para Vitit të Ri, edhe çmimet janë rritur pak, nuk janë normal si para një muaji. Tash dimri e bën të veten, çmimet e pemëve, perimeve janë rritur për 50-60 %”- tha një qytetar.
“Çmimet nuk janë të larta, por të ardhurat të pakta janë, njerëzit janë në gjendje të vështirë. Vetëm sillen nëpër treg. Nuk ke shpenzime, nuk mund të shpenzosh kur nuk ke, nuk ke çfarë të shpenzosh, jemi në gjendje që po shikojmë vetëm për të blerë nevojat më themelore”- u shpreh një qytetar.
Ky vit karakterizohet për shitje shumë të dobët në krahasim me vitet tjera, thonë shitësit, sipas të cilëve çmimet janë të njëjta si në vitet e kaluara.
“Shitja ka ra tepër, popullata nuk ka para, prej vitit që kaloi shitja ka ra për 2 herë. Çmimet më të lira janë, popullata nuk ka para, ashtu gjendja është paksa e vështirësuar”- deklaroi një shitës.
“Shitja e dobët, nuk është sikur tjera vite, nuk kanë para, ka ra standardi. Shëtitje ka mjaft, por shitje nuk ka, ndërsa çmimet janë të njëjta sikur vitet e kaluara”- theksoi një shitës.
Por, qytetarët shpresojnë se viti 2016 do t’u sjellë më shumë begati dhe më pak probleme për ata dhe familjet e tyre.
ERSAN PAJAZITI
