Botë
Me Ligjin e ri për përmbarim, xhirollogaritë nuk do të bllokohen pa paralajmërim
28.12.2015 16:10
Përmbaruesit nuk do të mund të bllokojnëxhiro llogaritë e qytetarëve pa paralajmërimin paraprak...

Kjo parashihet me Ligjin e ri për përmbarim, i cili është në procedurë kuvendore, sipas të cilit përmbaruesi duhet që domosdoshmërisht para se të bllokojë xhirollogarinë, me shkrim ta njoftojë qytetarin që ka borxhe dhe të kërkojë nga ai që në afat prej tre ditëve ta paguaj borxhin.
Borxhliu duhet ta njoftojë përmbaruesin se a është i punësuar apo jo, cila është pozita e tij pronësore dhe niveli i të hyrave nga paga dhe gjërat tjera shtesë. Nëse borxhliu nuk përgjigjet në paralajmërim, atëherë do t’i bllokohet xhirollogaria.
“Me këto ndryshime ne pretendojmë të lehtësojmë sa më shumë detyrimet e qytetarëve, gjithashtu t’i lehtësojmë edhe përmbaruesit, kreditorët, e posaçërisht debitorët. Kështu tentojmë të gjejmë vendime sa më kualitative, me ç’rast në mënyrë sa më efikase do të mbrojmë dhe realizojmë të drejtat e personave fizik dhe personave juridik”- deklaroi përmbaruesi, Premtim Qerimi.
Kryetari i dhomës së përmbaruesve, Zoran Petreski, njoftoi se me ndryshimet e reja përfshihet edhe pagesa jashtëgjyqësore për rrymë, ujë, ngrohje, telefon dhe operator kabllovik.
Do të thotë që me procedurën e re do t’u iket harxhimeve, që për llogaritë komunale tani i bëjnë avokatët, noterët ose gjykatësit. Ligji pritet të votohet në fillim të vitit 2016.
SANIJE KASAMI
