Maqedoni
Thaçi: ky vit ishte i vështirë për shqiptarët
28.12.2015 16:34
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, sot në konferencën e fundvitit deklaroi se ky vit ka qenë shumë i vështirë dhe i mbrapshtë për shqiptarët e Maqedonisë...

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, sot në konferencën e fundvitit deklaroi se ky vit ka qenë shumë i vështirë dhe i mbrapshtë për shqiptarët e Maqedonisë si në aspektin ekonomik të vendit dhe në atë politik. Po ashtu, Thaçi tha se nga Marrëveshja e Përzhinën nuk u realizua asnjë kërkesë e shqiptarëve.
“Ju kujtohet para gjashtë muajve kur oponentët tanë politik, në krye me z. Ahmetin, kur përfundoi Marrëveshja e 2 Qershorit dhe 14 Korrikut thanë publikisht se të gjitha çështjet dhe kërkesat e shqiptarëve janë vendosur në rend dite, në tavolinën e negociatave, unë ju thashë atëherë mbani mend, amanet, asnjë prej këtyre kërkesave nuk do të realizohet. Sot kanë kaluar gjashtë muaj dhe asnjë prej këtyre kërkesave nuk ka ardhur në rend dite dhe t’ju them se asnjë prej këtyre kërkesave nuk do të vijë në rend dite deri më 24 prill. Kjo është një situatë tepër e rëndë dhe e vështirë. Ky vit për Maqedoninë u karakterizua edhe me skandalin e përgjimeve, ku u vërtetua se Maqedonia s’ka asgjë të përbashkët me shtetin ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut dhe me aspekte kushtetutare të drejtësisë”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Ndryshe, vitin e ardhshëm kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, e konsideron si vit i shpresës së madhe me zgjedhjet që do bëhen më 24 prill.
“Para nesh me gjithë atë është një vit i shpresës madhe, viti i shpresës së madhe besoj është 24 prilli, ku përfundimisht ne shqiptarët, nën udhëheqjen e PDSh-së, do të arrijmë që nëpërmjet votës së lirë, të garantuar nga ShBA dhe BE, t`i themi mjaft kësaj situate, mjaft këtij trishtimi, këtij mjerimi dhe këtyre vuajtjeve”- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi është optimist edhe për sukseset që pritet t’i arrijë partia e tij vitin që vjen.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
