Maqedoni

Kryqi i Kuq dhe EVN, së bashku në aksion humanitar “Të shpërndajmë gëzim” për fëmijët me nevoja të veçanta

28.12.2015 16:38

Babagjyshi këtë vit nuk i harroi edhe fëmijët me nevoja të veçanta. Në kuadër të aksionit humanitar “Të shpërndajmë gëzim”...

Babagjyshi këtë vit nuk i harroi edhe fëmijët me nevoja të veçanta. Në kuadër të aksionit humanitar “Të shpërndajmë gëzim”, të organizuar nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë dhe EVN, u ndanë 130 pako me dhurata për fëmijët me probleme edukativo-sociale, si dhe ata të cilët rrjedhin nga familje që përballen me vështirësi ekonomike.
 
Ky është viti i pestë me radhë që Kryqi i Kuq i Maqedonisë, me mbështetjen e EVN-së, organizon ngjarje për të njëjtin qëllim dhe se kjo traditë do të vazhdojë, tha me këtë rast sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
 
“Kjo është një dëshmi tjetër që Kryqi i Kuq përkujdeset për ata të cilët nuk kanë mundësi t’i plotësojnë nevojat e tyre. Në fund të vitit çdonjëri nga ne dëshiron të shpërblehet me ndonjë dhuratë dhe ne sot së bashku u munduam që këtyre fëmijëve për një çast t’ia zbukurojmë ditën”- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
 
Nga EVN-Maqedoni shprehen se është ndjenjë e veçantë t’i mundësohet atyre që kanë nevojë, në veçanti fëmijëve, të ndjejnë simbolikën dhe magjinë e festave të fundvitit.
 
“Përgjegjësia e EVN-së si dhe e kompanive të tjera në vend ndaj shoqërisë është që t’i ndihmohet këtyre fëmijëve, me qëllim që të kenë ditë më të mira, të mbushura me gëzime, të qeshura dhe dhurata. Partneriteti me Kryqin e Kuq do të vazhdojë, me qëllim që të shpërndajmë sa më shumë lumturi për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë tonë”- tha Igor Gievski nga EVN-Maqedoni.
 
Në ngjarjen e organizuar në hapësirën e Kinotekës së Maqedonisë fëmijët kishin mundësinë të ndjekin edhe një projekt kinematografik të një filmi vizatimor 3D, të mundësuar nga “Megakom”.
 
LEUNORA KALIQI