Maqedoni
Izairi: Tetova po i implementon rekomandimet për ndotjen
28.12.2015 16:52
Në vazhdën e javës së Ministrisë së Ambientit, këtë Ministri e kanë vizituar një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, dhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri...

Në takim ministri, Nurhan Izairi, ka njoftuar për projektet e kësaj Ministrie në sferën e ambientit, përfshi edhe ato që realizohen me mbështetje të fondeve IPA, si dhe masat për uljen e ndotjes së ajrit.
“Me propozim të ministrit të Ambientit, dje qeveria ka marrë vendim që të gjitha masat të cilat u propozuan nga ministri i Ambientit qeveria t’i miratoi. Konform marrëveshjeve, qeveria jep sugjerime deri te të gjitha organet kompetente që mund të ndikojnë në këto masa. Nëse ato nuk realizohen, qeveria konform ligjit do të merr masa tjera. Gjithashtu arritëm të informojmë opinionin e gjerë që dje Këshilli Drejtues i Agjencisë për Resurse Energjetike të Maqedonisë arriti të kalojë vendimin e projektit, i cili pritet prej 10 vitesh, bëhet fjalë për gasifikimin e Maqedonisë Perëndimore, projekt i cili kap vlerën prej 32 milion eurosh”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Ministria e Ambientit është një Ministri që ka përgjegjësi të mëdha programore. Është interes i madh publik, duke e pasur parasysh rrjetin e furnizimit me ujë, ujrat e zeza dhe mbrojtjen e ambientit në përgjithësi”- tha zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Komunat kanë filluar me implementimin e rekomandimeve të kësaj Ministrie për uljen e ndotjes së ajrit, theksoi ministri Izairi, duke përmendur përfundimin e parakohshëm të vitit shkollor nga nxënësit e shkollave në Tetovë, apo aplikimin e përdorimit të automjeteve sipas sistemit çift-tek.
“Qyteti i Shkupit nuk i ka pranuar për arsye teknike të tyre, ndërsa qyteti i Tetovës po, i ka pranuar. Siç e dini, rekomandimi ka qenë që të vendoset qarkullimi i automjeteve çift-tek dhe mbyllja e shkollave. Këto dy rekomandime Komuna e Tetovës i ka pranuar dhe në seancën e nesërme të Këshillit Komunal do të jenë të miratuara”- theksoi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
Njëherit u theksua se mbi 90% e agjendës së kësaj Ministrie për këtë vit është realizuar.
GYLTENE SINANI
