Maqedoni

Teuta Arifi raportoi për punën gjatë viti 2015

28.12.2015 16:58

Kryetarja e Tetovës ,Teuta Arifi, ka prezantuar sot aktivitetet e vitit që po lëmë pas...

Ajo me këtë rast përmendi rregullimin e bulevardit “Iliria”, përfundimin e projektit të ujësjellësin, gjelbërimin e qytetit, asfaltimin e rrugëve, si në qytet ashtu edhe në disa fshatra të malësisë së Tetovës.
 
Arifi më tej shtoi se ka edhe shumë punë për t’u realizuar, por prioritet për vitin e ardhshëm do jetë të projekti i ujësjellësit, pasi ky projekt është nevojë dhe kërkesë 20 vjeçare e qytetarëve të Tetovës.
 
“Nga viti i ardhshëm qytetarët e Tetovës nuk do ta kenë më luks ujin për pije, sepse projekti i ujësjellësit të Tetovës gjendet në fazën përfundimtare. Me përfundimin e tubacionit të ujit në gjatësi prej 8.5 kilometra, në pranverën e vitit 2016 fillon faza e dytë dhe përfundimtare e ujësjellësit apo ndërtimi i filtër-stacionit, i cili sipas dinamikës së paraparë pritet të mbarojë në vjeshtën e vitit 2016 dhe me këtë do të materializohet përfundimisht nevoja dhe kërkesa 20 vjeçare e qytetarëve tanë për ujë të pijshëm. Ndërtuam murin mbrojtës në fshatin Shipkovicë, shtruam me bekaton rrugët e fshatit, pastruam përroin dhe rregulluam urën e fshatit. Realizuam projekte infrastrukturore në rrugët dhe urat e fshatrave Gjermë, Poroj, Gajre, Bozofcë, Vicë, Sellcë dhe Llacë”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Arifi po ashtu u shpreh se problemet e kësaj komune janë të grumbulluara me dekada, por po punohet për ta bërë Tetovën një qytet ku vlen të jetohet dhe një komunë që i shërben qytetarit dhe qytetit.
 
VISAR SADIKI