Maqedoni

VMRO akuzon Shilegovin për bllokim të Komisionit Anketues, kërkon komision të ri për skandalin me letërnjoftimet

28.12.2015 17:23

Anëtarët e Komisioni Anketues nga radhët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski...

Anëtarët e Komisioni Anketues nga radhët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, që të caktojë seancë të Komisionit për skandalin me përgjimet, pasi kryetari i Komisionit, Petre Shilegov, nuk po e bën një gjë të tillë.
 
Antonio Milloshovski thotë se, Shilegov jo që nuk po thërret seancë në harmoni me planin për punë të Komisionit, por nuk ka përfill as kërkesën e tetë anëtarëve të Komisionit nga radhët e VMRO-së edhe pse konform rregullores është i obliguar që në afat prej 48 orësh të caktojë seancë nëse një gjë e tillë kërkohet nga 1/3 e anëtarëve të Komisionit.  
 
“Kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov, deputet i LSDM-së, përkundër asaj që ka obligim sipas rregullores si kryetar i Komisionit të gjejë një mes të barabartëve dhe të thërret seancë të Komisionit Anketues, nuk e bën një gjë të tillë, edhe pas kërkesës së tetë anëtarëve, gjysmës së anëtarëve të Komisionit Anketues, të parashtruar para gjashtë ditësh”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antoni Milloshovski.
 
Në ndërkohë, VMRO-DPMNE ka dorëzuar në Kuvend propozim-vendim për themelimin e një komisioni tjetër anketues, përkatësisht një grup deputetësh nga partia maqedonase në pushtet i propozojnë Kuvendit themelimin e komisionit anketues për skandalin me fabrikën për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave, aferave dhe dokumenteve të tjera.  
 
“Persona të rëndësishëm me përgjegjësi dhe në funksione në RM kanë qenë në kontakt, korrelacion, ndoshta edhe në bashkëpunim me këtë grup, i cili ka falsifikuar letërnjoftime, pasaporta; ka vjedhur identitete, ka ruajtur te vetja biseda të regjistruara. Vlerësojmë se Kuvendi i RM-së ka kompetencë thelbësore që ta hetojë gjithë rastin dhe të përgatisë dokumentacion në bazë të të cilit do të veprohet më tej”- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
 
Propozim-vendimi i deputetëve të VMRO-së për një komision tjetër anketues është identik me vendimin për themelimin e Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet, thekson Dimovski, duke shtuar se dallon vetëm titulli, përkatësisht tema ose materia që duhet shqyrtuar.    
 
SHPËTIM NUREDINI