Maqedoni
Gllumova, Shishova dhe Gërçeci së shpejti nuk do të kenë problem me ujërat e zeza
28.12.2015 17:33
Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, ka inspektuar sot rrjedhën e punimeve për ndërtimin e stacionit filtrues të ujërave të zeza për vendbanimet Gllumovë...

Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, ka inspektuar sot rrjedhën e punimeve për ndërtimin e stacionit filtrues të ujërave të zeza për vendbanimet Gllumovë, Shishevë dhe Gërçec në Komunën e Sarajit. Punimet janë në fazën përfundimtare, theksuan ministri Izairi dhe kryetari i Sarajit, Bekim Murati.
“Jemi në fazën përfundimtare. Këto ishin inspektimet e fundit të këtij projekti, që shumë shpejt, brenda pak ditësh, do të lëshohet në funksion. Vlera e këtij projekti është 47 milion denarë, i financuar nga buxheti i Qeverisë, përkatësisht Ministria e Ambientit”- deklaroi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
“Shumë shpejt do të fillojë edhe realizimi i një projekti të përbashkët mes Ministrisë së Ambientit dhe Komunës së Sarajit, përmirësimi i rrjetit të kanalizimit nëpër disa vendbanime. Bëhet fjalë për një investim prej rreth 8 milion denarësh, investim i përbashkët, 50% Komuna e Sarajit, 50% Ministria e Ambientit”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Projekti do të ndikojë në mbrojtje të ujërave, prandaj u paralajmëruan edhe investime tjera të këtij lloji në Saraj dhe komunat tjera.
GYLTENE SINANI
