Maqedoni

Mjegull në disa akse rrugore, komunikacioni po zhvillohet pa ndalesa

29.12.2015 09:09

Edhe mëngjesin e sotëm është regjistruar nivel i lartë i ndotjes së ajrit në disa qytete të vendit, por ndotje më e lartë është evidentuar në Tetovë dhe në Shkup...

Koncentrime të larta të grimcave PM10 në ajër ka edhe në Manastir dhe Kërçovë. Stacionet matëse në Tetovë regjistruan koncentrim të grimcave PM1 prej 386 mikrogramëve në metër kub. Në Shkup, koncentrime më të larta ka në Qendër, prej 332 mikrogramëve, Gazi Babë 310, afër Rektoratit 279, Lisiçe 264, Karposh 252 dhe Milladinovci 96. Në Manastir janë matur 118, ndërsa në Kërçovë 115 mikrogramë.
 
Mbi koncentrimet e lejuara të grimcave PM10 sot në mëngjes janë regjistruar edhe në Kavadar me 61, Veles 57 dhe Koçan 55 mikrogramë. Po ashtu, në disa akse rrugore në vend, sidomos në orët e mëngjesit, ishte e pranishme mjegulla e dendur, e cila vështirëson komunikacionin. Dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës deri më 40 metra është regjistruar në drejtimin rrugor Zhirovnicë-Dibër-Strugë, deri më 50 metra në drejtimet rrugore Shkup–Katllanovë dhe Veles-Negotinë, deri 80 metra në Negotinë-Demir Kapi dhe Negotinë-Gradsko dhe prej 50-100 metra në rrugët Shtip-Veles, Shtip-Koçan dhe Shtip-Negotinë. 
 
Por, komunikacioni në të gjitha rrugët e vendit po zhvillohet pa ndalesa, nëpër rrugë vende-vende të lagështa. 
 
Nga Lidhja Auto-Moto rekomandojnë vozitje të kujdesshme, shpejtësi të adaptuar të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Vëmendje e posaçme nevojitet në akset të cilat kalojnë nëpër gryka malesh. 
 
Edhe komunikacioni ajror po zhvillohet pa probleme. Është anuluar vetëm fluturimi prej dhe drejt Stambollit.
 
E madje, nga aeroporti i Shkupit kanë udhëtuar edhe udhëtarët që janë dërguar nga aeroporti i Prishtinës, ku janë anuluar disa fluturime për shkak të mjegullës. Edhe në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.