Maqedoni

“Lumturi dhe siguri në vitin 2016 me miqësi”, fushatë kundër përdorimit të mjeteve piroteknike

29.12.2015 14:37

Komuna e Çairit në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme ka organizuar fushatë...

Komuna e Çairit në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme ka organizuar fushatë me moton “Lumturi dhe siguri në vitin 2016 me miqësi familjare dhe shoqërore”, me qëllim për t’u thënë stop përdorimit të mjeteve piroteknike.

“Në këtë mënyrë ngrisim vetëdijen tek gjenerata më e re, hapim debat tek popullata, që të jemi më të kujdesshëm dhe vet ta ndalojmë përdorimin e mjeteve piroteknike, sepse pasojat mund të jenë fatale për fëmijët tanë. Ideja e saj është që të hapen debate brenda familjes, brenda shoqërisë për kujdes më të madh”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Kryqi i Kuq thonë se kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes tek nxënësit dhe prindërit të cilët më së shpeshti janë viktimë e përdorimit të mjeteve piroteknike.

“Qëllimi i kësaj fushate është që të ngrisim nivelin e sigurisë, si është dhe një apel deri tek prindërit, adoleshentët, nxënësit, që t’i largohen përdorimit të mjeteve piroteknike, sepse ekziston mundësia të kemi lëndime fizike”- tha Biljana Milevska nga MPB.

“Ne sot, në bashkëpunim me MPB-në, e kemi bërë këtë ushtrim me qëllim për të ju treguar se sa është i rrezikshëm përdorimi i mjeteve piroteknike. Kemi bërë një ushtrim se si fishekzjarri pëlcet në duart e një vajze dhe ajo humb gishtërinjtë, gjë kjo që mund të ndodhë”- theksoi vullnetarja e Kryqit të Kuq, Aleksandara. 

Simulimi i lëndimeve të marra nga mjetet piroteknike u prezantua në sheshin Skënderbeu në prezencën e fëmijëve, sepse gjatë festave të fundvitit përdoren më së shumti këto mjete. 

REJHANE BUSHI-METAJ