Maqedoni

Zëvendëskryeministri Besimi, vizitë pune në Komisionin Anti-Korrupsion

29.12.2015 12:30

Në kuadër të vizitave institucionale lidhur me reformat urgjente prioritare, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, u ndal sot në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit...

Me këtë rast zëvendëskryeministri Besimi bisedoi me kryetarin e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit për reformat që dalin nga raport-progresi për Maqedoninë dhe që duhet t’i implementojë ky institucion. 
 
“Ideja është t’i diskutojmë temat që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, që janë pjesë e reformave prioritare dhe pjesë e raportit të progresit që pritet nga Maqedonia dhe kjo do të jetë një prerje e aktiviteteve të deritashme në vitin 2015, që në fillim të vitit të ardhshëm të kemi një prerje të aktiviteteve të realizuara deri më tani lidhur me reformat prioritare që priten nga Maqedonia, ashtu që në vitin e ardhshëm të vazhdojmë me aktivitetet e mëtutjeshme”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.  
 
Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thonë se gjatë vitit 2015 kanë realizuar të gjitha reformat e parashtruara nga Sekretariati për Eurointegrime.
 
“Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit në përgjithësi i ka implementuar masat e kërkuara nga Sekretariati për Eurointegrime, respektivisht planin për aktivitetet mbi reformat, duke filluar nga korriku kur miratuam regjistrin për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve, me çka edhe ndryshuam ligjin, më pas miratimin e akteve adekuate, rregulloret dhe udhëzimet përmes metodologjisë anti-korruptive të legjislativit, të cilat i përfunduam në afatin e paraparë të këtij dhjetori”- tha kryetari i Komisionit për Parandalim të Korrupsionit, Goran Milenkov.
 
Komisioni për Parandalim të Korrupsionit gjithashtu ka miratuar programin nacional 2016-2019, si dokument strategjik nacional për parandalimin e korrupsionit, theksoi numri një i këtij organi shtetëror, Milenkov.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU