Komuna e Tetovës miraton buxhetin për vitin 2016
Me shumicë votash, sot në Këshillin e Komunës së Tetovës është miratuar buxheti i vitit 2016, i cili kap shumën prej rreth 32 milion eurove...

Edhe pse debati më i ashpër pritej të zhvillohet pikërisht për buxhetin, një gjë e tillë nuk ndodhi, por përplasje mes këshilltarëve të PDSh-së dhe BDI-së u zhvillua rreth raportit të masave kundër ndotjes së ajrit.
“E para dhe kryesorja që ndërmorëm është prezenca 24 orëshe e inspektoratit që të mund qytetarët të paraqesin raste të thyerjeve ligjore. Sektori për Komunikacion Rrugor bashkë me pjesëtarë të SPB-së dhe Inspektoratin Shtetëror të Komunikacionit ka marrë masa për uljen e trafikut të makinave të rënda”- deklaroi drejtori i Inspektoratit Komunal, Viktor Stojanovski.
“Është për t’u përshëndetur që janë marrë masa adekuate, mirëpo konstatoj se krahas këtyre masave që janë nën kompetencë të Komunës së Tetovës, ndotja vazhdon edhe më tej dhe është në nivele shumë të larta, para dy javësh ishte edhe qyteti më i ndotur në botë. Pra, sipas mendimit tim vlerësoj se këto masa nuk janë të mjaftueshme për ta zgjidhur një problem kaq të madh që e kemi në mesin tonë”- theksoi këshilltari i PDSh-së, Durim Luma.
Për ta sqaruar këtë situatë, në foltore ka dalë sërish kryetarja e Komunës së Tetovës, zonja Arifi, e cila për problemin e ndotjes tha se nuk është si çështje e re dhe se për një ditë nuk mund të zgjidhet, ndërsa nga këshilltarët kërkoi që më pak të akuzojnë njëri-tjetrin dhe më shumë të punojnë kundër ndotjes së ajrit.
“Mendimi im i fuqishëm është se tema e ndotjes së ajrit ambiental në Tetovë është një temë relativisht e re në kuptimin publik, pse e them këtë, për arsyeje se ne të gjithë jemi këtu, nuk kemi ardhur prej diku tjetër, këtu kemi jetuar dhe shoh shumë gjëra dhe janë d.m.th. të njohura. Çështja e ajrit ambiental nuk ka qenë çështje e cila është shtruar prej qytetarëve të Tetovës në shkurt, janar të vitit 2013, në fakt është shumë mirë që është bërë çështje, sepse është një çështje shumë e rëndësishme, është çështje që ka të bëjë me shëndetin tonë”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Mbledhja e sotme, e cila kishte mbi 30 pika të rendit të ditës, ishte e fundit për këtë vit. (Visar Sadiki, TVM2)
