OEMVP-raporti vjetor për 2015, kriza politike ka ngecë zhvillimin ekonomik
Klima e biznesit gjatë vitit 2015 karakterizohet me vështirësi dhe me regres të ndikuar nga kriza politike, u tha gjatë raportit të fundvitit të OEMVP-së...

Ata bëjnë fajtor qeverinë për jotransparencë dhe politikë selektive me kompanitë. Një qëndrim të tillë nga OEMVP e bazojnë edhe në atë se promotorët për investime të huaja kur dalin jashtë shtetit për të promovuar kushtet e biznesit në Maqedoni bazohen në mënyrë joproporcionale, duke anashkaluar zonat në pjesën veriperëndimore të vendit.
“Duke pasur parasysh se në mbi 20 zona të lira ekonomike në Maqedoni ka mbi 15.000 të punësuar, ndërsa në zonën e Pollogut nuk ka asnjë të punësuar. Kjo paraqet një disfavor në nivel proporcional dhe ky fakt flet për një mospërfshirje të pjesës së Maqedonisë Veriperëndimore”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Kryetari Hoxha gjithashtu tha se problemet kryesore ekonomike në Maqedoni janë: borxhi publik, deficiti buxhetor, vrimat në fondin pensional, legjislacioni, marrëdhëniet fqinjësore dhe infrastruktura, ndërsa u shpreh pesimist sa i takon zhvillimit ekonomik gjatë vitit 2016.
“Jemi në vit parazgjedhor, kemi krizën e refugjatëve, krizën politike dhe çështjen e emrit. Paralajmërimet e institucioneve vendore dhe ato të jashtme, por edhe sinjalet e bizneseve nuk janë optimistë dhe nuk lejojnë hapësirë për të thënë se do të jetë një vit i lehtë dhe frytdhënës. Sipas parashikimeve tona, rritja për këtë vit do të jetë jo më shumë se 3%”- theksoi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Megjithatë nga OEMVP paralajmëruan se në prag të zgjedhjeve do të dalin me një sërë masash të cilat do t’u adresohen partive politike, me qëllim të plotësimit të kushteve për një zhvillim ekonomik. (Ersan Pajaziti, TVM2)
