Sistem i ri distributiv në Kadastër, fletëpronësi nga shtëpia
Prej sot të gjithë qytetarët do të mund të nxjerrin fletëpronësi dhe dokumente tjera pa shkuar nëpër sportelet e Kadastrës...

Këtë e mundëson sistemi i ri distributiv i Kadastrës, i cili u promovua nga ana e drejtorit të këtij institucioni dhe Ministria për Shoqëri Informatike. E vetmja gjë që qytetarët duhet bërë tani është të vizitojnë ueb faqen e re www.ossp.katastar.gov.mk dhe të zgjedhin njërën prej shërbimeve elektronike.
Shërbimet elektronike përmes këtij sistemi janë për 20 për qind më të lira se sa në formë të letrës. Të gjitha dokumentet do të jenë të nënshkruara me certifikatë digjitale të Agjencisë, të cilat do të mund të përdoren para organeve të tjera shtetërore.
“Fletëpronësia në formë elektronike do të kushtojë 150 denarë, ndërkaq nëse porositet përmes sistemit distributiv në formë të letrës, i njëjti do të kushtojë 183 denarë dhe 70 denarë shpenzime postare”- deklaroi drejtori i Kadastrës, Sllavçe Tërpevski.
“Qëllim kryesor i këtij projekti është zvogëlimi i gabimeve gjatë dhënies së dokumenteve, të mundësohet dhënia e një numri të madh të shërbimeve kadastrale në afat të shkurtër dhe normalisht të zvogëlohen radhët e gjata të qytetarëve nëpër sportelet e Kadastrës”- theksoi ministrja e Shoqërisë Informatike, Marta Arsovska-Tomovska.
Portali elektronik i këtij sistemi do të jetë në funksion në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht. Këto shërbime mund të shfrytëzohen nga të gjithë personat juridik dhe qytetarët jashtë dhe brenda vendit. Në portalin e ri të Kadastrës janë të kapshme edhe të dhënat gjeodezike, karatografike dhe të dhëna nga regjistri i njësive hapësinore për mbarë territorin e Maqedonisë. (Rexhep Qamili, TVM2)
