Botë
Pakistan, sulm kamikaz, 21 të vdekur, 78 të plagosur
29.12.2015 16:42
21 persona kanë humbur jetën dhe 78 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi kamikaz në Pakistan...
Ngjarja ka ndodhur në një prej godinave qeveritare në qytetin Marden, teksa talebanët morën përgjegjësinë e krimit.
Sipas autoriteteve, një person i veshur me eksploziv hyri brenda ndërtesës ku gjendeshin qindra persona, e më pas aktivizoi bombën vetëvrasëse.
Ndërtesa në të cilën punohej për databazën kombëtare të shtetit të Pakistanit dhe ku përfshiheshin edhe çështjet e kartave të identitetit për anëtarët e qeverisë, u përfshi nga kaosi dhe paniku.
Autoritetet konfirmuan vdekjen e 21 personave, ndërkohë që nga 78 të plagosurit, 28 janë në gjendje kritike për jetën.
Grupi që ka marrë përgjegjësinë e ngjarjes quhet Jamatt ur Ahrar dhe lufton për të rrëzuar qeverinë dhe për të vendosur ligjin islamik në Pakistan.
Sipas këtij grupi ekstremist, ndërtesa ishte pjesë e qeverisë pagane dhe për rrjedhojë ishte nën shënjestrën e militantëve talebanë.
Ata kërcënojnë se do të sulmojnë të gjitha organizatat që po i luftojnë direkt ose indirekt. Talebanët e Pakistanit kontrollonin territorin në veriperëndim të vendit, por një ofensivë e forcave ushtarake në vitin 2009 i ka detyruar të vendosen në zona të vogla.
Vitet e fundit sulmet e talebanëve në Pakistan nuk kanë qenë të shumta, por kërcënimi është gjithnjë i pranishëm.
BELINDA KOKA-ADEMI
