Fjalimi i fundvitit, Ali Ahmeti: Shtyrja e zgjedhjeve ndikon në stabilitetin e vendit

29.12.2015 16:56

Në fjalimin e fundvitit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh se nuk është një moment i mençur e as i mirë që data e zgjedhjeve të parakohshme, e cila u arrit me konsensusin e të gjitha forcave politike në vend me ndërmjetësim edhe të komunitetit ndërkombëtar, të shtyhet, pasi që sipas tij ndryshimi eventual i datës do të dëmtojë stabilitetin e vendit...

“Është një datë konsensuale, si e tillë duhet të mbetet dhe të gjitha forcat në vend të mobilizohen, të organizohen dhe kush është më i miri le të fiton dhe me atë meritë duhet t’i urohet sukses dhe përkrahje për shtyllat dhe problemet kryesore me të cilat përballet vendi. BDI jo vetëm që është më i forti, sepse mund të mbesësh më i forti por jo edhe i mirë. BDI i ka këto dy vlera jashtëzakonisht të larta, janë më të mirët se kanë qenë më të mirët dhe janë bërë më të fortët. S’ka dyshim që 13 vite jemi fitues të pakontestueshëm në elektoratin shqiptar. Të pakontestueshme fitoren e kemi edhe në këto zgjedhje që na presin, por ne duam zgjedhje të lira, demokratike, të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjitha forcat. Dhe unë i siguroj të gjithë se ne do të japim kontribut që këto zgjedhje të jenë sipas standardeve”- deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sipas Ahmetit, duhet angazhim edhe më i madh në sferën e investimeve për të ndikuar në uljen e të papunëve në vend.

“Dua të theksoj investimet dhe punën, që kanë filluar një sërë fabrika që nga Struga deri në Shkup, në zonën e lirë të Tetovës e të Kërçovës, me çka ne maksimalisht duhet të angazhohemi maksimalisht, të angazhohemi për t’i motivuar dhe inkurajuar të rinjtë, që të begatohen me njohurit adekuate, profesionet që i kërkojnë këto fabrika, sepse vetëm kështu mund ta zbusim papunësinë”- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Çështja e emrit vazhdon të mbajë peng integrimin e Maqedonisë, pasi që është problem shumë kompleks dhe arritja e një kompromisi është shumë emocional.

“Aty ku ka emocione, ka shumë probleme dhe pa ndihmën e ndërkombëtareve ky problem nuk do të tejkalohet. Kriza globale ka ndikime të pakomentueshme të angazhimit të miqve tanë ndërkombëtar në tejkalimin e çështjes së emrit: lufta në Rusi, Ukrainë, Siri e Irak. Me të drejtë është thënë se raste emocionale humbin nacionalitetin”- theksoi Ahmeti.

Ahmeti kundërshtoi edhe idenë e formimit të shumë partive politike me arsyetimin se kjo përçan votën shqiptare. “2 parti janë me vlerë për shqiptarët, njëra që merr legjitimitetin dhe tjetra që bën korrigjimin e të parës”, tha në fjalimin e tij të fundvitit lideri i integristëve, Ali Ahmeti. (Sanije Kasami, TVM2)