Aleanca për Shqiptarët: 2015-ta, vit i rasteve të montuara, cunamit politik
Vit i rasteve të montuara dhe cunamit politik vlerësohet 2015-ta nga Aleanca për Shqiptarët në përbërje të RDK-së dhe Lëvizjes për Reforma në PDSh...

Kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSh, Zijadin Sela, thotë se 2015-ta nxori në skenë një të pavërtetë për “Monstrën”, rastin e Kumanovës dhe Sopotit. Gjatë 2016-tës, prioritet i Aleancës, sipas Selës, do të jetë zhvillimi i betejës politike kundër fenomeneve për inskenim të proceseve politike.
“2016-ta do të jetë betejë politike ndërmjet atyre të cilët duan të ruajnë këtë sistem dhe ndërmjet atyre të cilët duan të godasin në këtë sistem, i cili dënon me qindra vite burg shqiptarët e pafajshëm, i cili dënon dhe inskenon procese të montuara politike, siç ishte Lagja e Trimave në Kumanovë, vetëm e vetëm për të dalë nga të pabërat e veta, nga të palarat e veta, të cilat i ka bërë sistemi, i cili rikonfirmoi përsëri dënimin ndaj procesit tjetër politik të ‘Monstrës’, i cili shqiptarët i dënoi me burgim të përjetshëm edhe pse nuk ka asnjë dëshmi për një gjë të tillë”- deklaroi kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSh, Zijadin Sela.
Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, deklaroi se mjegulla e shkaktuar në skenën politike do të duhet të kristalizohet vitin që vjen. Sipas Memedit, do të duhet të thuhet e vërteta për secilin aktor politik.
“Pa u pastruar mjegullina e skenës politike e kemi shumë vështirë për shtetin për të ecur përpara drejt strukturave euroatlantike. Mu për këtë arsye, duke pasur parasysh se viti 2016 do të jetë edhe vit zgjedhor, atëherë priten lëvizje të mëdha, do të kisha thënë edhe tektonike. Ne si Aleancë për Shqiptarët jemi bashkë për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat dhe ndryshimet që mund të ndodhin në vitin 2016”- theksoi kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
Aleanca për Shqiptarët pret që prokurorja speciale, Katica Janeva, të japë kontributin e saj në zbardhjen e krimit.
Kyçja e faktorit ndërkombëtar shikohet si element pozitiv për zbatimin e marrëveshjes politike deri në zgjedhjet e 24 prillit, në të cilat Aleanca për Shqiptarët do të hyjë me një platformë dhe lista të përbashkëta. (Meral Ismaili, TVM2)
