Marrëveshje FSSH dhe Oda e Farmacistëve, zbuten dënimet për farmacistët
Nga 1 janari i vitit 2016, farmacistët dhe barnatoret nuk do të përballen me rregulla dhe dënime të ashpra, siç ishin deri më tani...
Kjo vjen si rezultat i një marrëveshjeje të re midis Fondit për Shëndetësi dhe Odës së Farmacistëve. Ndryshimet kanë për qëllim lehtësimin e punës së përditshme që bëjnë farmacistët dhe barnatoret, si dhe zbutjen e dënimeve kontraktuale, tha drejtori i FSSh-së, Orhan Ramadani.
“Aneks-marrëveshja e re parasheh fshirjen e pesë marrëveshjeve kontraktuale. Do të ulim tetë dënime kontraktuale, do të ulim masën e dy ndërprerjeve të marrëveshjeve të cilat kalojnë në gjoba financiare nga tre kompensime mujore. Lehtësojmë dy dënime kontraktuale, si mekanizëm efikas për mbrojtjen e personit të siguruar”- deklaroi drejtori i FSSH-së, Orhan Ramadani.
Në korniza të kuotës mujore barnatoret obligohen të japin barna që janë në llogari të Fondit nëse e posedon atë bar, por për këtë është paraparë gjobë financiare prej një të dytën e kapitacionit, sqaron Orhan Ramadani. Barnatorja gjithashtu obligohet t’i jep vërtetim për pjesëmarrjen e paguar të llogarisë fiskale, ku shihet qartë vlera e barnave që mbulon Fondi.
Ndërkohë, nga Oda e Farmacistëve kanë mirëpritur ndryshimet e reja. Bistra Angellovska nga kjo Odë theksoi se këto ndryshime për farmacistët dhe veprimtaria e tyre nëpër barnatore do të thotë lehtësim i madh dhe lirim nga korniza e deritanishme ndëshkimore sipas ligjit.
Ndryshe, gjatë vitit 2015 për thyerje të ndryshme të ligjit janë ndëshkuar 89 barnatore. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
